Luftime të ashpra janë zhvilluar gjatë natës në disa fronte në Ukrainë, mes ushtrisë vendase dhe asaj ruse, e cila ka shtuar sulmet.
Mediat ukrainase raportojnë se një qytet në jug të vendit është pushtuar nga Rusia. Trupat ruse kanë mundur të futen në Nova Kakhovka, i cili është një qytet i vogël, por i vendosur në një pikë strategjike në lumin Dnieper dhe që furnizon drejtpërdrejt me kanale uji gadishullin e Krimesë.
Kryebashkiaku i saj, Volodymyr Kovalenko, ka deklaruar se trupat ruse kanë kapur komitetin ekzekutiv të qytetit dhe kanë hequr të gjithë flamujt ukrainas nga ndërtesat.
Analistët kanë vënë në dukje se avancimi i Rusisë nga jugu ka qenë një nga më të suksesshmit deri më tani, me forcat ruse që kërcënojnë qytetet Kherson, Mykolaiv dhe Melitopol.









