Deputetja e PD Dhurata Çupi, në një konferencë për shtyp ka deklaruar se do PD do kallëzoje në SPAK, kryetarin e Bashkisë Fier, Armado Subashi lidhur me çështjen e inceneratorëve.
Ajo theksoi se ka pasur abuzime te vazhdueshme, me kontratat duke i ndryshuar ato pas nënshkrimit të tyre.
“Me dhjetëra orë dëshmi në komisionin hetimor për incineratorët nxorën para shqiptarëve të vërtetën e vjedhjes nga qeveria të 430 milionë eurove nga taksat tona. Përfshirja në këtë superaferë e drejtuesve më të lartë te qeverisë dhe të disa kryebashkiakëve tani është përtej çdo dyshimi. Fakteve nuk mund t’u shpëtojë askush! Letrat flasin dhe ato tregojnë që një nga personat me përgjegjësi penale në këtë aferë është kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.
Kryebashkiku i Fierit ka përgjegjësi direkte për ndryshimin 3 herë të vendit për ndërtimin e incineratorit: Nga fshati Plug, pastaj në Mbyet dhe më pas në Mbrostar, është një vendim i pajustifikuar që u kushtoi qytetarëve 460 milionë lekë. Në vend që të zgjidhte një pronë shtetërore, pa kosto, Armando Subashi e vuri gishtin tek një tokë private me pronar, shpronësimi i të cilës kushtoi 460 milionë lek. Armando Subashi nuk u dha dot përgjigje disa pyetjeve thelbësore: Përse u përzgjodh një tokë private, duke ndikuar për keq ne buxhetin e shqiptareve? Persë nuk zbatoi ligjin për konsultimin publik? Kush ndryshoi destinacionin e tokës finale për ndërtimin e incineratorit, nga tokë arë në tokë truall për t’i rritur çmimin në mënyrë fiktive?” Subashi ka lejuar që pasuria publike të jetë si garanci bankare në favor të koncesionarit.”u shpreh Çupi.









