Thesari i Kosovës ka hapur llogari zyrtare bankare për të ardhurat të cilat janë për Fondin e Sigurisë, i themeluar së fundi nga Qeveria e Kosovës.
Banka Qendrore ka njoftuar se për të transferuar para në këtë fond qytetarët nuk do të kenë asnjë pagesë shtesë.
“Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 2 mars 2022, ka miratuar largimin e tarifës në llogarinë e veçantë të hapur nga qeveria e Kosovës për Fondin e Sigurisë”, thuhet në njoftimin e BQK-së, raporton RTKlive.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në të njëjtën kohë është kërkuar edhe nga bankat komerciale në vend të mos aplikojnë tarifë për qytetarët për transferimin e parave në Fondin e Sigurisë.









