-sidi education-spot_img
24.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shqipëria mbetet nën standardet e BE, për raportin e gjyqtarëve për banor

Kryesoret

Sistemi gjyqësor në vend mbetet dukshëm nën standardet e Bashkimit Europian për sa i përket raportit të gjyqtarëve për banorë, sipas të dhënave të raportit të fundit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian për Efiçencën në Drejtësi (CEPEJ), mesatarja europiane është 21.9 gjyqtarë për 100 mijë banorë. Në Shqipëri, ky tregues rezulton ndjeshëm më i ulët në të gjitha matjet e përdorura nga struktura gjyqësore.

Konkretisht, sipas strukturës organizative (dekreti), vendi regjistron 17.35 gjyqtarë për 100 mijë banorë. Sipas organikës faktike, ky raport zbret në 14.32 gjyqtarë për 100 mijë banorë. Ndërsa sipas organikës efektive, shifra ulet më tej në 12.73 gjyqtarë për 100 mijë banorë.

Në nivel organizativ, raporti i gjyqtarëve ndaj stafit administrativ që i shërben një gjyqtari në Shqipëri është 3.13, pra rreth 3.13 punonjës për çdo gjyqtar. Sipas organikës faktike, ky tregues rritet lehtë në 3.5 staf për gjyqtar, ndërsa në organikën efektive arrin në 3.9 staf administrativ për gjyqtar.

Në të gjitha rastet, Shqipëria mbetet nën mesataren europiane të CEPEJ-it, e cila është 4.12 staf administrativ për çdo gjyqtar. Edhe në këtë tregues, burimet mbështetëse për gjyqtarët mbeten më të ulëta krahasuar me standardin e Bashkimit Europian.

Ky hendek bëhet më i dukshëm në nivelin e strukturës organizative, ku diferenca ndaj mesatares europiane është më e theksuar. Numri i stafit jogjyqësor për 100 mijë banorë në Shqipëri për vitin 2025 është 50.16, sipas organikës faktike. Në krahasim, mesatarja europiane e vitit 2022 qëndron në 55.5 punonjës për 100 mijë banorë.

Të dhënat e KLGJ-së konfirmojnë se hendeku me BE-në mbetet konstant në vitet e fundit, ku në të gjitha skenarët Shqipëria qëndron nën pragun europian të CEPEJ-it. Kjo, ashtu siç theksohet shpesh në raporte, e vendos reformën në drejtësi përballë sfidës së kapaciteteve njerëzore, teksa rritja e numrit të çështjeve në gjykata e thellon presionin mbi sistemin ekzistues.

Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit referues (2025) kanë ushtruar efektivisht funksionin e gjyqtarit në gjykatat e të gjitha niveleve gjithsej 306 gjyqtarë. Në të njëjtën periudhë, kjo nënkupton se sistemi gjyqësor ka funksionuar me rreth 73.38% të kapacitetit të tij./ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit