Kryeministri Edi Rama u shpreh sonte se efektet e luftës në Ukrainë mund të ndihen në shumë vende të botës, por theksoi se në rastin e Shqipërisë çmimi i energjisë nuk do të rritet. Sipas tij, qeveria shqiptare po përpiqet të mbajë të pandryshuar çmimin e energjisë për konsumatorët shqiptarë.
Ai iu referua edhe deklaratës për krizën e madhe energjetike që parashikoi vitin e kaluar, por gjithsesi ai tha se nuk parashihte një luftë pavarësisht lëvizje të Vladimit Putinit për gazin që shpërndahet nëpër Evropë.
“Ajo që mund të them është kjo, që kur dola para disa muajsh dhe paralajmërova një krizë për energjinë nuk parashihja luftën. Por kishte filluar të frynte një erë e ftohë në shpinën e Evropës dhe sot është e qartë se ku synonte një lëvizje e Vladimir Putinit që lidhej me gazin dhe efektet e post-pandemisë, ku u ballafaqua me një kërkesë shumë më të lartë se sa oferta në tregjet ndërkombëtare.
Kjo qeveri po bën diçka dhe ne po përpiqemi ta mbajmë kështu siç jemi, është mosrritja e çmimit të energjisë. Ndryshe nga sa është rritur nga vendet e tjera të rajonit. Nafta është rikthyer në pikun e vet në vitin 2014”, u shpreh Rama për emisionin ‘Opinion’.









