Kongresmenë amerikanë i kanë shkruar administratës Biden, që të kthejë vëmendjen nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ata i kanë disa propozime se si duhet vepruar me shtetet ballkanike dhe si të shuhet tensioni në to. Në letër, si një nga top shqetësimet renditet çështja e Kosovës me Serbinë. Në një përgjigje për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj realizimit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata në Ukrainë, i ka alarmuar 19 kongresmenë amerikanë me ngjarjet që mund të ndodhin në Ballkanin Perëndimor, si një nga pjesët më të tensionuara të Evropës. Dhe, kongresemenët, kërkesë parësore ndaj administratës së Joe Biden e kanë që ajo t’i ndihmojë gjashtë shteteve ballkanike të lidhën më shumë me pjesën tjetër të kontinentit, të cilit i takojnë gjeografikisht. Letra i është dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i cili, pas luftës në Ukrainë, është koncentruar në Evropë.
“Duke pasur parasysh pushtimin e paligjshëm të Ukrainës nga Rusia, është më e rëndësishme se kurrë që SHBA të thellojë angazhimin dhe përfshirjen e saj në këtë rajon [Ballkanin Perëndimor]”, thuhet në letrën e kongresmenëve. Në tri shqetësimet kryesore të ngritura në letër nuk mungon çështja e Kosovës me Serbinë. Kongresmenë, pjesëmarrës në adresimin e letrës, kanë folur këto ditë për Kosovës edhe ndaras.“Për më tepër, marrëdhëniet jo të normalizuar midis Serbisë dhe Kosovës rrezikojnë stabilitetin e rajonit më të gjerë dhe kërkojnë vëmendje të menjëhershme”, thuhet në letër. Para kësaj, flitet për situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë, shteti i cili në disa raporte e deklarata ndërkombëtare konsiderohet si pika më e dobët e Evropës, pas situatës së krijuar në Ukrainë. Vërejtjet, në emra të përveçëm, shkojnë për liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodikun.
“Specifikisht, kërcënimi i liderit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik për ta tërhequr ‘Republikën Serbe” nga institucionet e shtetit, është një kërcënim i madh për Marrëveshjen e Dejtonit dhe ekzistencën e Bosnjës dhe Hercegovinës, si shtet” , thuhet në letër. Dje ndërkaq, një zëdhënës i Departamentit Amerikan i Shtetit duke iu përgjigjur pyetjeve të Zërit të Amerikës rreth letrës së 19 kongresmenëve ka thënë se lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës e bën të qartë urgjencën në rritje që paraqet për aleancën transatlantike, integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor. “Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj realizimit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Departamenti i Shtetit.
“Rusia ka qenë prej kohësh një forcë destabilizuese dhe burim dizinformimi në Ballkanin Perëndimor, për shembull, duke mbështetur një përpjekje për grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2016 dhe përpjekjet e vazhdueshme për të nxitur tensionet në Bosnje dhe Hercegovinë”, vazhdon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës. Në letër flitet edhe për llojin e demokracisë në Serbi, që, siç përshkruhet aty, lë për të dëshiruar. Përmendet udhëheqja pa ndarje partiake, pushteti i përqendruar dhe polarizimi i mediave.
Këto dhe disa pika të tjera të tjera, që shoqërohen me shqetësimin e shtrirjes së ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, kanë bërë që kongresmenët të përpilojnë një listë me kërkesa për administratën Biden. E para është që të rriten investimet amerikane dhe të ndihmohet integrimi i shteteve në botën perëndimore. Kjo sipas tyre, “do të ndihmonte të kundërshtohej ndikimi rus dhe gjithashtu përfshirja e madhe e Kinës në projekte infrastrukturore në industritë kyçe”. Kërkesa tjetër është që të ndihmohen këto shtete të qasen dhe të integrohen në Bashkimin Evropian. Pika e tretë kërkon që të avancojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur një përfundim me marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Katërmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është koha që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Nëpërmjet rritjes së angazhimit dhe investimeve të SHBA-së dhe Evropës, si dhe një fushate bindëse publike për të zhvendosur qëndrimet në të dy vendet, përparimi është i mundur në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura”, thuhet aty. Në cështjen e Bosnjës, kongremenët thonë se qytetarët atje e vendosin paqjen dhe mundësitë ekonomike, si prioritete të tyre para gjithçkaje tjetër. Kësisoj, ata thonë se SHBA-ja duhet të fokusohet t’i servojë ato që boshnjaket i kërkojnë, ashtu që evitohen tensionit etnike. Për Dodikun thonë se, përveç sanksioneve që tashmë ia ka vendosur Amerika, duhet të marrë penalizime akoma më të mëdha. Dhe në fund, demokratizimi i këtyre shteteve është tjetër shqetësim, që i kërkohet udhëheqjes amerikane të ndihmojë.