Sot pritet të nisë gjykimi për korrupsion ndaj Dhurata Hoxhës, ish-ministre e Integrimeve Evropiane, Kushtrim Cukajt, ish-sekretar dhe tre të tjerëve, Fitim Mustafa, Demush Shasha e Nuhi Osmani.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në tetor kishte refuzuar kërkesat për rrëzim të aktakuzës dhe kundërshtim të provave nga mbrojtësit e të akuzuarve.
Në vendimin e Apelit thuhet se ka vlerësuar që gjykata e shkallës së parë në vendimin e saj ka vlerësuar në mënyrë të drejtë kërkesat e paraqitura nga mbrojtësit dhe ka dhënë arsye të mjaftueshme se nga aktakuza e ngritur ekziston dyshimi bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.
Apeli ka vlerësuar se në këtë fazë vlerësohen provat vetëm sa i përket standardit procedural të ekzistimit të dyshimit të bazuar mirë, i cili sipas saj në rastin konkret plotësohet dhe rrjedh se të pandehurit janë të përfshirë në veprime inkriminuese të theksuara në aktakuzë.
Ndaj sipas Apelit, pretendimet e tjera lidhur me fajësinë apo pafajësinë do të trajtohen pas vlerësimit gjithëpërfshirës të provave në tërësi.