Komandanti i KFOR-it, Gjeneral major Ferenc Kajari flete për gjendjen e sigurisë në Kosovë e rolin e këtij misioni ushtarak për të ofruar siguri në Kosovë.
Kajari ka folur edhe lidhur me forcat e NATO-s në Kosovë dhe atë nëse ka shtim të këtyre forcave pas agresionit rus në Ukrainë.
“KFOR-i ka një qëndrim fleksibil, të dukshëm dhe të shkathët në terren, e cili na lejon të trajtojmë menjëherë çdo zhvillim që mund të ndikojë në situatën e sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Prezenca e KFOR-it nuk ka ndryshuar.
Misioni ynë vazhdon të operojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në përputhje me konceptin e përgjigjes së ‘parë’ dhe të ‘dytë’ respektivisht.
Jam në kontakte të rregullta me një numër të gjerë të bashkëbiseduesish, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Serbisë”, ka thënë gjeneral major Kajari.
Ai ka bërë të ditur edhe prania aktuale e KFOR-it është mbi 3,700 trupa, e që janë prej 28 vendeve kontribuuese, duke përfshirë anëtaret dhe partnerët e NATO-s.
Referuar listës së vendeve që kanë trupa ushtarake në Kosovë, janë më shumti nga SHBA-të, 635, Italia 621, pastaj nga Hungaria 469, Turqia 316, Polonia 247, Austria 218, pastaj vjen Zvicra, Sllovenia, Kroacia.