Shefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë se institucionet e rendit dhe ligjit duhet të punojnë më shumë për sigurinë në banka për të evituar sulmet e armatosura.
Balija tha të hënën se për të punuar këto institucione financiare, Policia duhet të arrestojë më shumë persona që janë të përfshirë në këto raste, si dhe t’u jepen dënimet e merituara.
“Si Shoqatë e Bankave jemi bashkuar me Policinë e Kosovës, me BQK-në, me Ministrinë e Brendshme, me të cilat kemi takime të rregullta dhe shkëmbejmë përvoja. Kemi rritur sigurinë nëpër degët e bankave gjithandej, por i takon Policisë së Kosovës që të bëjë më shumë për të siguruar që bankat të punojnë lirshëm. Do të duhej të ketë më shumë arrestime të personave që janë të përfshirë në këto raste dhe mbi të gjitha të shohim më shumë dënime sipas ligjit”, ka thënë ai.
Balija ka njoftuar se bazuar në informacionet që kanë nga Policia, personat që i kryejnë sulmet e armatosura në banka, edhe pas arrestimit lirohen dhe vazhdojnë aktivitetet e tyre në grupe të ndryshme kriminale nëpër Ballkan.









