Faqja zyrtare e PD-së në Facebook ka reaguar me një postim duke sulmuar Sali Berishën se zgjedhjet që po bën në degë në rrethe janë farsë, pasi nuk bëhet fjalë, sipas tyre për bashkim dhe proces të rregullt, por për emërim të njerëzve të LSI-së.
“Demokratët refuzojnë farsën e zgjedhjeve të Sali Berishës. Ato jo vetëm janë përjashtuese po në vend të tyre po zgjidhen në poste drejtuese ish-funksionarë të LSI. Njëri ndër ta është Santiliano Dule, i cili në zgjedhjet e 25 prillit, siç e tregon dhe statusi i tij👇, ka qenë pjesë e fushatës së kandidatit të LSI. Sot Sali Berisha ka injoruar kontributin e gjithë demokratëve të Beratit, që kanë punuar e sakrifikuar për Partinë Demokratike dhe u ka emëruar kryetar grupseksioni në Berat nga LSI. Kjo është mënyra se si po veprohet kudo, përjashtuese dhe jo-përbashkuese” shkruan PD.
Tre njerëzit që kundërshtojnë grupin e Rithemelimit në PD janë kryetari i grupit, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi dhe Arbi Agalliu. Sali Berisha nuk e ka marrë totalisht nën kontroll Partinë Demokratike. E ndërsa pak ditë më parë Floriana Garo mori zotërimin e grupit të “Whatsapp”-it, faqja e PD-së në Facebook vazhdon të menaxhohet nga njerëzit e Lulzim Bashës.