Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Ambasadën Amerikane, Benjamin Rockwell u shpreh sot pozicionimi në listën gri është një shenjë turpi për Shqipërinë.
“Kemi parë goditje të mëdha nga SPAK dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, të cilat po bëhen të përjavshme, por fakti se Shqipëria mbetet në listën gri në luftën kundër pastrimit të parave, është një shenjë turpi për vendin.
E cila ngre pikëpyetje kredibiliteti për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shfaq një pozicion parandalues në investimet ndërkombëtare dhe rritjen ekonomike dhe sigurisht, kur ka një impakt kaq të madh në shoqëri, është një problem i madh i shoqërisë” tha ai.
Rockwell përmendi dhe dosjen e inceneratorëve. “Një akuzë e pastrimit të produkteve të veprës penale ishte pjesë e arrestimeve të SPAK në dosjen e incineratorëve, ndërsa po shohim përdorimin e efektshëm të këtyre akuzave nga prokuroria.
Aksionet e fundit janë një nisje e mirë, por ka shumë punë për t’u bërë. Nuk nevojitet shumë ekspertizë për të parë përreth qytetit, në bregdet apo kudo, ku shihet qartë prezenca e pasurive të paligjshme në sistemin shqiptar” tha ai.