Një bazë kodimi telefonash që shmangte përgjimet duke nxjerrë “jashtë loje” drejtësinë është zbuluar dhe goditur nga policia sot në Tiranë. Nga operacioni, policia thotë se u procedua vetëm një person në gjendje të lirë, por hetimet vazhdojnë, pasi dyshimet shkojnë përtej asaj që konstatuan dhe sekuestruan. Ekspertët e policisë dyshojnë se servisi ishte kthyer në një bazë për personat që kishin probleme me ligjin që përmes ndërhyrjeve i bënin telefonat të pagjurmueshëm duke lëvizur lirisht.
“Tregtonte aparate celulare, të dyshuar kontrabandë, procedohet penalisht një shtetas. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar proceduan penalisht shtetasin D. R., 35 vjeç, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Shitja e paautorizuar e kartave sim”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 8 aparate celulare të ndryshëm, për të cilat nuk dispononte faturë tatimore, të dyshuar kontrabandë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale” deklaron policia.