Prokuroria braziliane ka publikuar disa detaje të reja në lidhje me vrasjen e shqiptarit, Alban Gropçaj në Fortaleza.
Natën e vrasjes, punëdhënësi dhe punonjësi sapo kishin dalë nga një restorant italian, kur të dyve “u afruan nga dy persona me motoçikletë, të cilët ndaluan makinën, nxorrën shqiptarin nga automjeti dhe e ekzekutuan me tre të shtëna armësh, dy në kokë dhe një në shpatull. Fillimisht u fol për një tentativë grabitjeje.
Por sipas hetimeve, grabitja ka qenë një mashtrim dhe makina e drejtuar nga italiani natën e krimit ka qenë e parkuar, në vijë të drejtë, me dyer të mbyllura, pranë bordurës dhe nuk është dëgjuar asnjë frenim që të lë të dyshosh se vrasësit në fakt donin që t’i grabisnin.
Autoritetet braziliane besojnë se italiani e ka parkuar mjetin me qëllim, në pritje të atentatorëve, një prej të cilëve tanimë është arrestuar. Mendohet se Bertola e orkestroi krimin së bashku me një brazilian “për interesa financiare”, duke qenë se shqiptari do të zhvillonte një projekt në kompaninë e italianit dhe për shkak të ngritjes dhe dëshirës për të punuar të shqiptarit, biznesmeni kishte frikë se mos i prishej biznesi. Ndaj dhe vendosi ta eliminonte. Pas vrasjes, Bertola u ndal për disa ditë, por shpejt u la i lirë.