Sot në Tiranë do të vijë për një vizitë zyrtare Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Thelbi sigurisht që do të jetë integrimi dhe procesi i negociatave që ende nuk është hapur për shkak të bllokimit nga Sofja.
E ndërsa në axhendë deri tani ishin fjalët inkurajuese dhe premisat, shpresat u prenë pardje për të hapur rrugën në qershor. Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë Teodora Genchovska deklaroi se Sofja i qëndron kërkesës për Shkupin duke mos u tërhequr.
“Për të filluar procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, mbetet kërkesa që Republika e Maqedonisë së Veriut të regjistrojë bullgarët në Kushtetutën e saj” tha ajo.
Kjo do të thotë se as në qershor nuk mund të hapen negociatat për Shkupin dhe rrjedhimisht për Tiranën, pasi dy vendet janë planifikuar të vijojnë rrugëtimin në bllok drejt BE-së.
Deklarata e ministres së Jashtme bullgare e kthen vizitën e zyrtarit të lartë të BE-së nga shpresëdhënëse në ngushëlluese. Varhelyi ka shprehur zhgënjimin e tij mbi qëndrimin e kryediplomates bullgare pasi shpresoi se procesi i integrimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të kishte avancuar.
“Çështja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kur do fillojmë procesin e negociatave të anëtarësimit. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim, që jemi ende duke vazhduar të diskutojmë këtë çështje.
Ne menduam se e kishim zgjidhur dy vjet më parë dhe tani kjo është sërish në tryezë” tha Varhelyi dhe që pritet të përsërisë sot në Tiranë. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të kërkojë ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia.