Nga Lufti Dervishi
Sot Shqipëria është pas Serbisë dhe Malit të Zi në rrugën drejt BE-së! Eshtë pas Serbisë që ka nisur 4 luftra në rajon dhe pas Malit të Zi që u shpall vend i pavarur vetëm më 2006! Sot përgjërohemi dhe lutemi që të na ndajnë nga Maqedonia që të hapim negociatat, ndërkohë që sot mund t’i kishim mbyllur. Sot jemi gati që edhe të derdhim lot, por është vonë. Shqipëria do të ishte vend anëtar i BE-së sot, nëse Tirana zyrtare dhe opozita e kohës do të kishin dëgjuar lutjet deri në përgjërim, 12 vjet më parë, më 2010, të drejtorit për Zgjerimin Stafano Sannino. Z. Sannino i lutej liderëve politikë në Tiranë të merreshin vesh sa më shpejt se nuk kishte kohë! Duhet të nxitonin se me mbarimin e mandatit të Komisionit, ndofta komisioni i ri nuk do ta kishte fare në axhendë zgjerimin. Dhe ashtu ndodhi. Me anëtarësimin e Kroacisë më 2013, komisioni i ri vendosi t’i jepte një pauzë zgjerimit! Për të mbajtur gjallë në rajon aspiratën për anëtarësim në BE, nisi “procesi Berlinit”, ndërkohë që Mali i Zi dhe Serbia hapën negociatat dhe sot janë në përfundim të kapitujve negociues. Zoti Sannino u lutej liderëve politikë të kohës të gjenin gjuhën e përbashkët, të miratonin me konsensus ligjet e kërkuara dhe vendi të hapte menjëherë negociatat. Përballë godinës së kryeministrisë, në atë kohë, u vendos një tabelë elektronike me fjalinë: Tre ligje baraz me Europë! Por halli i madh, në atë kohë, ishte “çështja e kryetarit të Këshillit të Qarkut të Fierit”. Ishte problem për jetë a vdekje për demokracinë shqiptare. Me këmbëngulje dhe mendjelehtësi foshnjore i ramë me shkelm derës së hapur të BE-së. Jo për herë të parë. Pas 12 vitesh jemi aty ku ishim që në 2009, te kërkesa për hapje negociatash. Në fakt, ndryshe nga Mali i Zi dhe Serbia që i kanë hapur njëherë negociatat, ne i kemi hapur disa herë negociatat. Kemi dekoruar edhe ambasadorë, më 2018. Ne madje i kemi bërë të gjitha detyrat, i kemi plotësuar të gjitha kushtet, por fajin e kanë vendet e Këshillit. Nëse ka një adresë faji, adresa është në Tiranë. Për një kapriço kanë ikur më shumë se një dekadë! Përvoja e anëtarësimit të Sllovenisë dhe Kroacisë tregon se nga hapja te mbyllja e kapitujve janë më pak se 10 vjet. Po të kishim dëgjuar lutjet e drejtorit të zgjerimit të kohës Stefano Sannino, sot do të ishim anëtarë të BE-së. Dhe në atë kohë që na luteshin për të hapur negociatat, nuk e kishim të lidhur fatin as me Maqedoninë dhe sigurisht lufta në Ukrainë nuk kishte filluar. Shqipëria e cila nuk ka nisur asnjë luftë në rajon, është sot pas Serbisë! Luftën e kemi bërë me njëri -tjetrin dhe ne jemi treguar mjeshtër të mëdhenj për të qëlluar veten në këmbë! Pak rëndësi ka sot nëse hapen negociata në qershor, apo në ndonjë qershor apo dhjetor tjetër. Dëmi i bërë në 2010 është i pallogaritshëm. Dekada e shkuar dëm nuk kthehet! Sot kur gazetarët i hakërrehen, në Tiranë, me pyetje te forta komisionierit për zgjerimin është për të qeshur. Për të qarë ka qenë në vitin 2010. Por i vetmi që qau në atë kohë (por nuk preku njeri) ishte drejtori për zgjerimin Stefano Sannino!