Banorët e fshatit Rinas në Tiranë kanë protestuar paraditen e sotme duke bllokuar rrugën kryesore. Shkak është bërë vendimi i ARRSH-së për devijimin rrugës.
Por cfarë ndodh?
Prej ditës së djeshme qarkullimi drejt aeroportit realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.
Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport. Pra rruga e Rinasit bëhet me një kalim duke bllokuar banorët.
Banorët e kundërshtojnë këtë, pasi sipas tyre u bllokon lëvizjen për në punë, por edhe për të hyrë në shtëpitë e tyre. Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk zgjidhet problemi do të vazhdojnë protestën.
“Na kanë izoluar. Na bllokuan në shtëpitë tona” tha njëri prej tyre. Ata thonë se nuk i pyeti askush. “Për 100 metra rrugë duhet të bëj 60 km rrugë. Askush nuk na pyeti”.
“Ky është një fshat që nuk ka pasur asnjë rrëmujë, por tani na izoluan. Fshati është bllokuar komplet as me shkuar në varreza, as shkolla dhe as në punë. Unë e mora vesh pardje.
Nuk vijnë vetë këtu të na sqarojnë, por sjellin këta me shkopinj gome. Ne kemi punën këtu. Ku do të hamë? Ky është shteti, kanë sjellë policinë të na rrahin dhe të na mbyllin në shtëpi.
Ky është bërë më keq se Enver Hoxha. Ai të paktën të linte me gomar me kaluar, kurse ky as në këmbë.
Sot do të rrimë dhe nesër gjithashtu dhe cdo ditë gjithë ditën” thanë disa prej banorëve.