Nga Dylber Balla
Mbrëmja e djeshme në stadiumin “Santiago Bernabeu” ishte magjike. Jo vetëm për tifozët e Realit të Madridit dhe atyre që e dashurojnë futbollin, por edhe për cdo shqiptar, pasi për pak çaste brenda fushës u valëvit flamuri kuqezi.
Në kohën shtesë të supersfidës në fushë u fut një djali i ri që mbante në duar flamurin shqiptar dhe në fund vrapin e ndali te Karim Benzema duke e përqafuar.
Identiteti i tij nuk dihej. Vetëm mbi bluzën e tij shkruaj “Gimi events”. Në rrjet lajmet ishin të shumta se ishte nga Shkupi. Por e vërteta është krejt ndryshe.
“5pyetjet.al” arriti që të kontaktonte me ideatorët dhe realizuesin e këtij skenari të mrekullueshëm, që bëri krenarë shqiptarët. Spartak Jaçe nga Tirana dhe Mërgim Ukiçi nga Vushtria. Po ai që hyri në fushë me flamurin kuqezi? “Gimi” është turk.
Emri i tij i vërtetë është “Gokhan”. Jaçe dhe Ukiçi rrëfyen për “5pyetjet.al” si e përgatitën gjithçka për dy arsye; reklamën për biznesin dhe krenarinë për flamurin. “5pyetjet.al” publikon edhe videon e turkut para ndeshjes me premtimin se do të futet në fushë.
Biseda me Spartak Jaçen
Si e ka emrin shqiptari që ngriti flamurin në Madrid?
Ai nuk është shqiptar.
Si nuk është shqiptar?
Ai është turk me origjinë. Është shoku jonë. Rri në Gjermani.
Po Gimi kush është?
Gimi është Mërgim Ukçi nga Vushtria.
Po ç’ne me flamurin shqiptar ai, duke qenë se është turk?
E kemi shok. Rri cdo ditë me ne. Ka komunikim me shqiptarët, ka qenë edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Tani jemi në aeroport Madrid. Po kthehemi.
Si e quajnë turkun?
Gokhan. Ai është bloger. Menduam një rrugë dhe dy punë. Edhe ai. Edhe ne. Unë dhe Gimi jemi partner te “Gimi events”.
Ju sa vite keni që jetoni në Gjermani?
Kam shumë vite.
Më tregoni pak për momentin…
Ne kemi organizuar çdo gjë. I premë biletën turkut. Të gjitha ne.
E kishit përgatitur më parë?
Po. Normale. Nuk do të vija kot në Spanjë. Para ndeshjes kemi bërë video, që në minutën 85-90 do të futemi në fushë, por nuk mundëm atë moment, pasi u mbush plot me policë dhe mezi e gjetëm për t’u futur.
Çfarë i ndodhi turkut më pas?
E morën, por e nxorën më pas. E mbajtën vetëm një orë.
Ku përfundoi flamuri?
Turku vajti e përqafoi Benzemanë. Momentin që e nxorën turkun, flamurin e mora unë.
Kush ishte qëllimi i gjithë kësaj?
Deshëm me i bërë reklamë eventit tonë dhe që e gjithë bota ta shikojë kush është flamuri më i bukur në botë.










