-sidi education-spot_img
21.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jap 4, zgjidh 2, merr një (!)

Kryesoret

Nga Bedri Islami

Në draftin e afruar nga opozita për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, mes të tjerave, është propozuar:

“Opozita Parlamentare propozon 4 kandidatë për President të Republikës, që vijnë në mënyrë proporcionale nga fusha të ndryshme, të cilat paracaktohen në kriteret e caktuara sipas pikës 1. Këto propozime paraprakisht i nënshtrohen konsultimit publik; Mazhoranca përzgjedh 2 kandidatë që gëzojnë besimin më të madh”.

Vëreni me kujdes: Megjithëse opozita, katër herë që ka pasur të drejtën e emërimit të Presidentit të ri, asnjëherë nuk ka kërkuar një marrëveshje paraprake, por ka vendosur me agresivitet, ndjenjën e triumfit dhe egërsinë e zakonshme që i kishte dhënë pushteti, tani kërkon të jetë e VETME në të drejtën e propozimimit të kreut të shtetit!

Një regjim politik, qoftë kjo edhe autokraci kolektive, apo vetjake, si ka ndodhur thuajse gjithnjë në vitet e jetës plurale, është jetëgjatë kur, duke ua ruajtur forcave reale të vendit mundësinë e shprehjes, të mendimit, të të qenurit pjesë dhe përcaktimit, të drejtimit të disa institucioneve të pavarura, sidomos të kontrollit apo të ligjshmërisë, konsakron te shteti një pushtet suprem, i cili mundet, në çastin vendimtar të thotë fjalën e fundit. Sovraniteti dhe fuqia e pushtetit të besuar mund të ndahen deri në atë pikë, sa nuk lëkundin balancat mbi të cilat ecën drejtpeshimi i vetë pushtetit.

Opozita në Shqipëri nuk është e ardhur nga qielli dhe nuk ka pasur kohën e saj të drejtimit të vendit. Nëse do të ishte një forcë e panjohur, që nuk ka asnjë traditë apo precedent të krijuar gjatë qeverisjes së saj, atëherë do të mendohej se kemi të bëjmë me një forcë politike që respekton lirinë e qytetarëve, balancon pushtet dhe krijon realitetin politik, që shmang konfliktet e mëdha politike.

Opozita ka të drejtën dhe detyrimin kushtetues të jetë pjesë e zgjedhjes së shefit të shtetit.

Opozita, që kur ishte në pushtet, rizgjodhi Berishën në pragun e fillimit të një përleshjeje të madhe civile, mars 1997, që mund të kthehej në luftë civile, e që për dreq nxori ushtrinë dhe të mobilizuarit veriorë për të luftuar popullin, që emëroi Bamir Topin, përmes trafikimit të votave nga e majta dhe jo pa shpërblesë të rëndë, sa që njëri prej ish-deputetëve, sapo u largua nga Shqipëria drejt një shteti tjetër, bleu atje një shtëpi moderne; që emëroi Bujar Nishanin, pasi kishte vendosur fillimisht për Zaganjorin, e më pas për Artan Hoxhën, të cilit, pasi e fryu në darkë, ia ndali turrin në mëngjes, duke i hapur dosjet si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit – nuk e di nëse është e vërtetë a jo- që aktualisht e kanë Ilir Metën opozitarin e parë në zyrën presidenciale, shpallur haptas me gjithë qënien e tij politike e njerëzore, tani kërkon edhe kreun e shtetit, si të drejtën e saj legjitime.

Të gjithë vitet e qeverisjes së forcës së sotme opozitare kanë dëshmuar qartë se shefi i tyre politik ka pasur fuqinë e një monarku absolut, por asnjëherë maturinë që duhet të ketë një mbret. Ç’ka është bartur edhe në qeverisjet e viteve të fundit të së majtës.

Opozita, para se të shkojë drejt propozimit të një drafti, i cili i shërben një pakive politike brenda opozitës për të mundur pjesën tjetër, po brenda opozitës – dhe vazhdon lufta me shpallje tradhtarësh dhe shërbëtorësh të pushtetit të Edi Ramës, duhet të zhbëjë ligjin që përmbysi raportet dhe që kërkonte domosdo konsensus të madh politik të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Duhet të kërkojë përmbysjen e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, të cilat e bënë befas, brenda pak orëve, rolin e presidentit edhe më të parëndësishëm se sa Avokati i Popullit, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Guvernatori i Bankës së Shtetit Shqiptar, Shefi i Shërbimit Informativ – të cilët, ose propozohen, ose emërohen nga vetë Presidenti.

Si mundet të jetë funksional dhe i besuar një president që zgjidhet në postin numër Një të shtetit, me vetëm 50 për qind plus një të votave, si të ishte fjala për postin e një bakalli, e jo për Njeriun përfaqësues të Unitetit të Popullit?

Opozitës i duhet presidenti për betejat e tyre të brendshme, jo për gjë tjetër. Shumicës qeveritare i duhet një figurë përfaqësuese, i cili të bëjë harresën e ndodhive të 5 viteve të shkuara, ku Presidenca u trajtua si sallë mundjeje apo ngritje peshash, në të cilën i zgjedhuri aktual stërvitej për t’u ndeshur me qeverinë.

Shumica duhet të sjellë shembullin se edhe me votat e duhura, ajo mund të përcaktojë si presidentin e vendit Njeriun e duhur, tej gardhit të tyre politik, të denjë për të qenë figurë unifikuese, edhe në kushtet e masakrimit të rolit të tij presidencial.

Ajo duhet ta bëjë këtë, domosdo, pasi asgjë nuk vlen më shumë sesa shembulli i delegimit të figurës së duhur, publike apo politike, të dinjitetshme; zgjedhjen e Njeriut që, figurativisht dhe realisht nuk është pjesë e “Klubit të Lalzit”, nuk i pëlqejnë “ngjalat”, dhe mbi të gjitha, nuk i sheh oligarkët si fatsjellësit e këtij vendi.

Ajo që qeveris, ka të drejtën e dhënies së shembullit.

Në zgjedhjen e parë, pesë vite të shkuara, e majta dhe vetë Edi Rama bënë zgjedhjen më të gabuar, më të shëmtuar dhe historikisht më të dënueshme. Tani kanë kohën, e ndoshta shansin e fundit, për të dëshmuar se kanë mësuar nga gabimet apo fajet e së djeshmes. Dhe, në sezonin e ardhshëm parlamentar të marrin nismën për t’i kthyer dinjitetin figurës së Presidentit. Ndryshe do të vazhdojë loja e sotme, me aktorë të rinj dhe mendësi të njëjtë. Që në fakt, është maskaradë politike.

E majta, jo për inat të së djathtës dhe as për të ngjizur më tej ndarjen mes dy grupeve opozitare, duhet të sjellë precedentin e zgjedhjes së një figure të pakonstetuar nga shumica e popullsisë, edhe pse opozita, si ndodh gjithnjë, nuk do të jetë në një mendje. Nëse ia arrin këtij përcaktimi, atëherë do të ketë mundësitë e hapura për ndryshimet e domosdoshme kushtetuese, që zbehin aq sa është e mundur, forcën e Njëshit, mungesën e dialogut serioz dhe përjashtojnë lojën e paskrupullt politike.

Ndodhitë e deritanishme kanë dëshmuar se shumica qeverisëse mund të lërë “topin” në gjysmën e gjysmës së fushës kundërshtare, me shpresën se më tej do të luhet vetëm me një portë. Dhe ajo do të vazhdojë të qevereisë më tej, kështu si sot, përmes PPP-ve, transferave enigmë, tenderëve fantazmë.

Përse e majta, sa herë që duhet të vendosë për gjëra të mëdha, tërhiqet?

Përse dy kryeministra të së majtës, pas riardhjes në pushtet në vitin 1997, mburreshin më pas se ishin pikërisht ata që e kishin shpëtuar Sali Berishën nga burgu, si të ishte drejtësia malli i atit të tyre? Përse Edi Rama, kur ishte në opozitë gjëmonte për ndëshkimin e vrasjeve të 21 janarit, gjakun e Gërdecit që do të ndëshkohej kush qëndronte pas krimit, e tani, si të jetë i humburi i dynjasë lëshon fushën e lirë të një hamendje aspak politike, e aspak të denjë për qytetarët e këtij vendi?

Përse, Alibeaj, me 20 deputetë që i venë akoma pas, do të caktojë kush do të jetë presidenti i ardhshëm?

Po mandati i besimit të qeverisjes së herës së tretë do të jetë flluskë?

Sa herë që e majta është në pushtet ajo humb nga vlerat e saj për të drejtën, futet në rrëpira që nuk e çojnë askund dhe bëhet viktimë e autokracisë së Njëshit dhe çoroditjeve eksperimentale të tij, si ishte delegimi i Metës në Presidencë, kur duhej dërgohej në burg!

Gjithnjë e kam pasur dyshimin : E di vallë e majta se është në pushtet, edhe kur qeveris?

Dyshoj, gjithnjë dyshoj!|

Presidenti, duhet të vijë dita, të zgjidhet nga vota e njerëzve dhe jo në pazare të tilla: Të jap katër, zgjidh dy, merr një!/ Botuar në DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit