Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat jashtë selisë së Kuvendit ka sqaruar se rrëzimi i rezolutës së propozuar nga Sali Berisha për dënimin e masakrës në Srebrenicë, nuk ka të bëjë me përmbajtjen e saj.
Por se mazhoranca nuk do të votojë kurrë një propozim të ardhur nga një person i shpallur non grata, Sali Berisha.
“Dua të sqaroj se qëndrimi ynë kishte dhe ka të bëjë me faktin se njëri prej deputetëve propozues quhet Sali Berisha, i cili me vendimin që ne kemi marrë është i papranueshëm për çfarëdolloj propozimi”, tha Balla në fjalën e tij.
Sipas deputetit të PS-së, qëndrimi i Shqipërisë ndaj masakrës serbe në Srebrenicë është tepër e qartë.
Balla, tha se Shqipëria e ka dënuar masakrën e Srebrenicës, duke mbështetur edhe rezolutat e OKB-së.
Dalja e tij për mediat ishte përgjigje ndaj deputetit të Partisë Demokratike (PD), Tritan Shehu, i cili tha se mazhoranca nuk pranoi rezolutën “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”, dhe e akuzoi këtë si “akt të rëndë”.
“Për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, të gjithë biem dakord që Shqipëria e ka dënuar këtë masakër. Shqipëria ka qenë mbështetëse e rezolutave në OKB dhe OSBE për dënimin e gjenocidit dhe kemi përshëndetur vendimmarrjet e Gjykatës së Hagës ndaj autorëve të kësaj masakre”.
Balla gjithashtu iu drejtua edhe deputetit të Partisë Demokratike (PD), Tritan Shehu, i cili propozoi në Kuvend rezolutën “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”.
“Në këtë kontekst kemi pasur një propozim me propozuesin Tritan Shehu, i kam kërkuar që këto çështje të kenë dakordësinë e të gjitha palëve dhe askush nuk duhet të marrë protagonizmin”