Sot është data 17 maj. Ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha ka kujtuar përmes një postimi në Facebook qëndresën e artistëve në momentin e shembjes së Teatrit Kombëtar. Ai kërkon që drejtësia t’i shkojë deri në fund kësaj cështje.
“Prej dy vitesh teatri është një plagë e hapur në zemër të Tiranës. Një plagë që sëmbon prej mosarsyeve që e shkaktuan atë dhe që janë të njëjtat me ato që e kanë mbajtur peng vendin këto 9 vite: arroganca, korrupsioni, klientelizmi, paratë e krimit dhe armiqësia e verbër ndaj trashëgimisë kulturore.
Sot ai shesh, i zhveshur dhunshëm nga historia e tij, është një tjetër vijë ndarëse midis qytetarëve që duan një Shqipëri demokratike dhe një pakice që shkatërron, plaçkit, uzurpon një nga institucionet më të shenjta të kombit.
Mirënjohje të thellë për artistët, qytetarët dhe qëndrestarët që nuk u pajtuan kurrë me marrëzinë e një regjimi që dialogun e kryen me fadroma dhe dhunë shtetërore.
Gjykata Kushtetuese provoi se beteja në mbrojtje të Teatrit Kombëtar ishte e drejtë dhe tani është koha që drejtësia të shkojë deri në fund, duke nxjerrë përpara përgjegjësive ata që barbarisht sulmuan kulturën, qytetarinë dhe trashëgiminë tonë të përbashkët. #atykuishteatysiçishte” shkruan ai.
Por 17 maji nuk kujtohet vetëm për shembjen e teatrit, por edhe për paktin e 2017 mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, që bëri që PD të dilte nga çadra, por jo nga opozita.