Lufta në Ukrainë ka ndikuar në ekonominë në Shqipëri kryesisht nëpërmjet “rritjes së çmimeve” dhe “kushteve më të shtrënguara financiare globale që do të rrisin kostot e financimit të jashtëm”, thuhet në një deklaratë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Megjithatë, sipas FMN-së, Qeveria shqiptare ka bërë një punë të mirë në menaxhimin e krizës ekonomike dhe asaj energjetike.
Rritja e PBB-së pritet të jetë rreth 3% këtë vit, e nxitur kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi, ka njoftuar FMN në përfundim të një misioni të stafit në Shqipëri më 19 maj.
Rritja do të nxitet nga turizmi dhe ndërtimi, por do të jetë e ngadalësuar ndjeshëm nga rritja e çmimeve – inflacioni tashmë ka tejkaluar objektivin e Bankës Qendrore prej 3%.
Inflacioni “pritet të mbetet në një nivel të lartë në muajt e ardhshëm – i nxitur nga çmimet e importit – përpara se të bjerë në objektiv drejt fillimit të vitit 2024, duke reflektuar ndikimin e shtrëngimit të politikës monetare”, bëri me dije FMN-ja.
Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun, e cila udhëhoqi vizitën e stafit në vendin tonë nga data 12-19 maj, ka rekomanduar “mbështetje të përkohshme”, për të ndihmuar të varfrit dhe të pambrojturit, ndërsa çmimet rriten.
“Duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet bordi i transparencës, që monitoron çmimet e disa produkteve ushqimore bazë, ne shohim merita në zëvendësimin e tij me mbështetje të përkohshme dhe të synuar mirë për të varfrit dhe të pambrojturit, për t’i mbrojtur ata nga efektet e rritjes së çmimeve”, deklaroi Sun.
Sipas saj, “përpjekjet në këtë drejtim duhet të vazhdojnë”.
Kjo për të forcuar sistemin e mbrojtjes sociale të vendit, “duke përfshirë zgjerimin e mbulimit të tij për të varfrit dhe shtresën vulnerabël në sektorin informal”, shtoi ajo.
Më tej, Sun rekomandoi që, duke qenë se buxheti i vitit 2022 ofron “hapësirë tashmë të bollshme” për t’i mbështetur njerëzit dhe ekonominë, çdo e ardhur shtesë, përtej asaj që është parashikuar aktualisht në buxhet, “duhet të ruhet për të rindërtuar hapësirën për manovra politike”.
“Kjo është kritike, pasi kostot e financimit të jashtëm janë rritur ndjeshëm dhe mund të jenë shumë më të larta”, ravijëzoi Sun.
Ndër të tjera, ajo u ndal edhe te situata në tregjet globale të energjisë, duke paralajmëruar se kriza ka “rënduar më tej barrën fiskale që rrjedh nga sektori i energjisë elektrike”.
Shqipëria është pothuajse tërësisht e varur nga hidrocentralet dhe, kur prodhimi është i ulët për shkak të kushteve atmosferike, ajo duhet të importojë energji elektrike.
Për të lehtësuar këtë barrë, FMN bëri thirrje për reforma vendimtare, për të rivendosur qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjeve shtetërore, si dhe rregullime graduale të tarifave.
Nga ana tjetër, Sun vuri në dukje se sistemi financiar i ka përballuar mirë goditjet.
“Me shtrëngimin e kushteve monetare, vigjilenca e vazhdueshme do të jetë thelbësore për të monitoruar ndjeshmërinë e bilanceve të bankave ndaj kredive me norma të ndryshueshme interesi”, përmbylli Sun.