-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Putin e drejton Rusinë si një spital psikiatrik

Kryesoret

“Që nga shekulli XVI-të, ne rusët kemi jetuar sipas ligjeve të psikozës maniko-depresive”- shkroi gazetarja disidente ruse Valeria Novodvorskaja. I botuar 2 vite pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, artikulli i zonjës Novodvorskaja përkonte me një periudhë shumë kaotike dhe të çmendur të historisë ruse.

Por po ashtu ajo përmend një dukuri që e ka shoqëruar prej kohësh shoqërinë ruse. Që nga koha e Ivanit të Tmerrshëm, theksoi Novodvorskaja, Rusia ka vuajtur nga psikoza maniako- depresive – “duke rrëzuar” qeveritë e dobëta dhe duke “puthur kamxhikun” e autokratit të dhunshëm.

Rezultati ishte një vend “që luhatej midis fashizmit dhe komunizmit” dhe me qytetarë të paaftë për të jetuar si njerëz normalë. Përdorimi i metaforave psikiatrike nuk ishte i kotë.

Në vitin 1969, Novodvorskaja, në atë kohë një studente 19-vjeçare, u arrestua me akuzën e shpërndarjes së fletëpalosjeve anti-sovjetike dhe u dënua me 2 vjet mbyllje në një spital psikiatrik.

Pra ajo i njihte si një dëshmitare okulare tmerret e sistemit të psikiatrisë ndëshkuese të KGB-së për disidentët. Për të, ky sistem ishte një shembull tipik i logjikës së sundimtarëve të Rusisë, cariste apo sovjetike. Synimi ishte të prodhohej një masë njerëzish të lobotomizuar, pra që luhaten midis pasionit dhe pasivitetit, dhe që nuk përbëjnë asnjëherë rrezik për sistemin.

Gjatë 2 dekadave të fundit, Vladimir Putin e ka ringjallur sistemin e psikiatrisë ndëshkuese. Ashtu si mjeku kryesor i një institucioni psikiatrik penal në epokën sovjetik, Putin po përdor aktualisht çdo mjet që ka në dispozicion për të mbajtur nën kontroll rusët, dhe për të shuar të gjitha zërat kundër.

Ai sundon mbi një shoqëri kryesisht të varfër, të dëshpëruar me 144 milionë njerëz, të ndarë nga 11 zona kohore dhe 4 zona klimatike. Në një gjendje apatie të thellë, pjesa më e madhe e shoqërisë ruse e ka pranuar në heshtje sundimin e zotit Putin, dhe luftën e tij brutale në Ukrainë.

Për Putinin, njerëzit që banojnë në Rusi janë pronë e tij. Ai mund të bëjë çfarë të dojë me ta. Herë pas here, i ushqen – por asnjëherë në mënyrë bujare – për të siguruar një nivel të lartë popullariteti. Ai e ka zakon të ofrojë përfitime financiare, sidomos në prag të zgjedhjeve.

Ato janë taktika e tij e preferuar. Natyrisht, qëllimi nuk është përmirësimi i jetës materiale të rusëve. Por për të mbështetur regjimin, dhe për të siguruar një pjesëmarrje të lartë në pseudozgjedhjet e çuditshme që mban Rusia. Shumë nga njerëzit në “pavionin” që drejton Putin nuk jetojnë; ata mbijetojnë.

Megjithëse statistikat e besueshme janë të vështira të zbulohen, Natalia Zubareviç, një ekonomiste e pavarur, vlerësoi se në vitin 2019, 15 për qind e rusëve jetonin në varfëri, ndërsa 49 për qind të tjerë ishin pranë hyrjes në këtë kategori. Dy vitet e pandemisë së Covid-19, vetëm sa i kanë përkeqësuar gjërat.

Sipas Qendrës Levada, verën e vitit të kaluar, 40 për qind e rusëve, nuk ishin në gjendje të ushqeheshin siç duhet, ndërsa 52 për qind nuk mund të përballonin blerjen e rrobave dhe këpucëve të nevojshme. Dhe në këtë situatë të tmerrshme, është e natyrshme që njerëzit të priren të mendojnë para së gjithash për barkun e tyre.

Për shumë prej tyre, politika është si moti, një fakt i pandryshueshëm dhe shpesh i pakuptueshëm i jetës. Të gjitha mundësitë që ata të kuptojnë arsyen se përse jetojnë në këtë mënyrë, janë të bllokuar plotësisht nga propaganda shtetërore, dhe politikanët që mund t’i ndihmonin ata të kuptojnë, kanë vdekur ose ndodhen në burg.

Informacioni i pavarur, i disponueshëm në internet nga një numër gjithnjë e më i madh burimesh, është i pamundur të gjendet pa një shpenzim të papërballueshëm të kohës, energjisë dhe njohurive. Pjesa më e madhe e shtresës së mesme ruse gjendet në të njëjtin “pavion”.

Një pakicë e brishtë vjen nga sektori privat, por shumica është e varur nga shteti. Ata janë mjekë, mësues, nëpunës civilë, oficerë policie, punonjës të kompanive shtetërore. Për shkak se jetojnë pak më mirë sesa shtresat e ulëta, ata e falënderojnë për këtë Putinin.

Ata nuk e duan ndryshim, dhe nuk duan ta dinë se pse do të kishin nevojë për ndryshim. Shumë pak prej tyre kanë qenë ndonjëherë jashtë vendit, për të parë se si jetojnë njerëzit e tjerë. Në televizionin shtetëror, atyre u thuhet se Evropa është e degraduar dhe se njerëzit e saj vuajnë për bukën e gojës. Se askund nuk është më mirë sesa në Rusi.

Pra këta janë njerëzit fatkeq në spitalin psikiatrik të Vladimir Putinit. Motoja e tyre e pashprehur është: “Mbaje kokën ulur, përndryshe gjërat do të bëhen më keq!”. Ata nuk shqetësohen nga fakti që Rusia po zhvillon luftë kundër Ukrainën në emër të tyre, dhe se ushtria ruse ka vrarë çdo ditë civilë në një vend fqinj prej gati 3 muajsh.

Për sa u përket atyre, ka një “operacion special” që po zhvillohet diku larg, i kryer nga një shtet nga i cili ata varen shumë. Por një spital psikiatrik nuk është vetëm plot me pacientë. Atje ka edhe shoqërues. Dhe në Rusinë e Putinit, këto role kryhen nga zyrtarë të qeverisë, të mbrojtjes dhe të zbatimit të ligjit, punonjës të propagandës dhe biznesmenë të pasur, të gjithë të kontrolluar me kujdes nga zyrtarët e sigurisë.

Anëtarët e këtij grupi njerëzish, të shoshitur dhe të filtruar nga Kremlini, e konsiderojnë veten zotër të vendit dhe vetë vendin si pronën e tyre. Ata nuk kanë asnjë ideologji tjetër përveç adhurimit servil të eprorëve të tyre për hir të përfitimeve vetjake.

Putin i urdhëron ata që t’i mbajnë njerëzit nën kontroll përmes frikësimit, të nxisin urrejtje, të mbysin lirinë e mendimit. Dhe secili prej tyre kontribuon në këtë mision. Falë tyre shteti rus depërton në çdo cep. Në të gjithë shoqërinë, ata ndërtojnë imitime të regjimit të Putin – në qeverisjen lokale, sektorin e bamirësisë, madje edhe shoqatat vullnetare – vetëm për të parandaluar cilindo që të ndërmarrë ndonjë nismë që nuk i nënshtrohet shtetit.

Vladimir Putin ua fal këtyre njerëzve korrupsionin, torturën, për sa kohë që ata ruajnë me sukses pavionin. Ata punojnë në mënyra të ndryshme, por së bashku e zhbëjnë vullnetin e qytetarëve dhe e forcojnë bindjen e tyre. Siç thonë në Rusi, gjysma e vendit është në burg dhe gjysma tjetër janë gardianët e burgut.
Sigurisht, jeta është më e ndërlikuar sesa çdo lloj metafore, sidomos në shoqërinë e atomizuar ruse. Këtu ka shumë njerëz që nuk janë as pacientë dhe as shoqërues. Kjo është parë nga pjesa e gjerë e shoqërisë që e kundërshtoi menjëherë luftën. Shkencëtarë, studentë, punonjës humanitarë, arkitektë, madje edhe artistë të famshëm dolën në rrugë dhe nënshkruan peticionet kundër luftës.

Kur kjo shfaqje rezistence u ndesh me represionin, shumë nga të pavarurit u larguan nga Rusia. Gjithsesi kjo metaforë prek një të vërtetë thelbësore për Rusinë e sotme: Putin mbetet në pushtet jo me pëlqimin e rusëve, por përmes imponimit ndaj tyre.

Për shembull, duket se mungon një entuziazëm i vërtetë për luftën e presidentit Putin. Përndryshe, ai nuk do ta quante atë një “operacion special”, apo të mbyllte edhe ato pak media të pavarura që kishin mbetur menjëherë pas fillimit të luftës, të bllokonte rrjetet sociale, të vendosje ligje të reja të ashpra për të ndjekur penalisht njerëzit edhe për gjestet më të parëndësishme kundër luftës.

Putin e di me siguri se ai ka qëndruar shumë gjatë në Kremlin, dhe se po e humbet një pjesë të pushtetit të tij. Për shembull në shkurtin e vitit 2021, 41 për qind e të anketuarve në një sondazh thanë se dëshironin që presidenti të largohej nga detyra pas vitit 2024, një rezultat mbresëlënës duke pasur parasysh rrezikun e të folurit hapur.

Por ai nuk do të largohet. Pasi e di se sado me madhështi që mund ta ketë pikturuar veten, pas largimit do të detyrohet të paguajë për mëkatet e tij të shumta. Pas 2 vitesh ai do të përballet me një tjetër palë zgjedhje farsë, për të cilat ai ndryshoi edhe Kushtetutën.

Në Ukrainë, donte një fitore të shpejtë, që askush të mos mendonte ta zëvendësonte me dikë tjetër. Plani i tij ishte ta zhvendoste zhgënjimin dhe mllefin e publikut larg vetes dhe “armiqve” të tij, Ukrainës dhe Perëndimit. Në këtë mënyrë ai mund të vërtetonte të drejtën e tij për të qëndruar në fron si një udhëheqës i madh që e kishte ndryshuar rendin botëror.

Por falë rezistencës së ashpër të Ukrainës, nuk funksionoi plani i tij gjakatar. Është e qartë se Putin ka në plan ta zgjasë luftën e tij vrastare, me shpresën se do t’i bëjë ballë kundërshtarëve të tij. E ardhmja është e pamundur të parashikohet.

Por ajo që mund të thuhet pa mëdyshje, është se pas kaq shumë vitesh të psikiatrisë ndëshkuese të zotit Putin, shoqëria ruse do të ketë nevojë për një rehabilitim shumë të gjatë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit