Ngjarja e së premtes në Ferizaj ka tronditur opinionin publik pasi 30-vjeçari, Qendrim Januzi ka vrarë me armë zjarri Gazmend Hysenin, ndërsa autori i këtij rasti mbeti i plagosur, si dhe një polic i cili ndërhyri në rast. Por, ky nuk ishte rasti i vetëm deri më tash. Gjatë katër muajve të parë 2022 në Kosovë kanë ndodhur 25 vrasje, duke mos përfshirë muajin maj, ndërsa më 2021 kanë ndodhur 27 vrasje.
Ndërkohë, si problem shihet edhe mbajtja e armëve ilegale, për të cilat thuhet se janë mbi 250 mijë. Në vitin 2021, policia ka konfiskuar 1.280 armë pa leje, ndërsa numri i municionit të konfiskuar është 42.031. Ndërsa sipas ekspertit të sigurisë, Nuredin Ibishi, këto vrasje po kryhen nga armë ilegale.
Ibishi ka thënë për KosovaPress se trendi i vrasjeve me armë zjarri ndryshon, por shqetësuese mbetet numri i madh i armëve ilegale te qytetarët.
Ibishi: Shqetësuese numri i madh i armëve ilegale te qytetarët
“Kemi raste të vrasjeve të rënda dhe vrasje të rëndomta, dhe trendi nganjëherë është rritje dhe ulje. Shqetësuese është një numër i madh i armëve te qytetarët, armëve ilegale, pasi zakonisht nga këto kryhen edhe vrasjet. Shqetësimi tjetër është që derisa policia po e jep vendimin përfundimtar, pra shqetësimi te qytetarët dhe te familjarët e viktimave është që këta nuk po e marrin vendimin përfundimtar”, tha Ibishi.
Sa i përket armëve ilegale, në një përgjigje me shkrim nga Policia e Kosovës, kanë thënë se në vazhdimësi po ndërmarrin veprime konkrete për parandalim të aktiviteteve të kundërligjshme.
“Policia në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime konkrete për parandalim të aktiviteteve të kundërligjshme, qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme”.
Ndërsa sa i përket kësaj çështjeje, Ibishi thotë se njëherë është bërë liberalizmi i armëve ilegale, por nuk ka përmbushur pritjet pasi nuk janë bërë përgatitjet e duhura. Ndërsa ka përmendur edhe rastin e fundit në Ferizaj, ku sipas tij kjo vrasje është kryer me armë ilegale.
Ibishi: Këto vrasje po ndodhin nga armët ilegale
“Kur flasim për armët ilegale njëherë është bërë liberalizimi rreth tri vjetëve dhe kjo realisht nuk kishte ndonjë rezultat apo sukses të shumëpritur, për shkak që nuk u bënë përgatitjet e duhura për legalizim të armëve për qytetarët. Ato (armët) ushtarake dhe mjetet eksplozive tjera konfiskohen. Nevojiten mënyra tjera për të ulur numrin e madh të armëve ilegale pasi zakonisht me këto armë po kryhen vrasjet në Kosovë, sikurse edhe rasti i fundit të premten në Ferizaj”, tha ai.
Edhe qytetarët shprehen të shqetësuar me vrasjet në Kosovë. Januz Dautaj thotë se dënimet duhet të jenë më të ashpra.
Dautaj: Shteti të punojë më shpejt dhe politika e gjykimeve të jetë më e ashpër
“Është keq, dukuri e vrazhdë dhe e dëmshme, sepse janë pastaj konflikte që nuk ndalen… Shteti në rastet e kryerjes së vrasjeve duhet të reagojë më shpejt, pasi nuk janë efikas. Nuk duhet të zvarriten procedurat dhe politika e gjykimeve duhet të jetë më e ashpër”, tha ai.
Ndërsa Arben Kasapolli thotë se vrasjet janë shpeshtuar dhe institucionet duhet ndërmarrin urgjentisht masa, ndërkohë që edhe shoqëria duhet të vetëdijesohet lidhur me këtë çështje.
Kasapolli: Këto tragjedi janë duke ndodhur shumë shpesh, të merren masa
“Është shumë keq. Kjo është tragjedi kombëtare, janë duke ndodhur shpesh dhe duhet ndërmarr masa… Besoj që Policia e Kosovës është duke e bërë një punë fenomenale, por shoqëria në përgjithësi duhet të vetëdijesohet”, tha ai.
Qytetari tjetër, Januz Gexhuli thotë se organet e sigurisë duhet të shtojnë numrin e kontrollit të armëve pa leje, sidomos te të rinjtë.
Gexhuli: Organet e sigurisë duhet t’i shpeshtojnë kontrollet e tyre
“Organet e sigurisë duhet të kenë më shumë kontrolle te njerëzit për armëmbajtje pa leje, sidomos te të rinjtë, nëpër shkolla dhe duhet të fokusohen në vetura… Pavarësisht se kemi respekt për Policinë e Kosovës, disponimi i tyre është më shumë për të dhënë gjoba në komunikacione, por jo në çështjen e sigurisë”, tha ai
Ndërsa Ismet Selimi mendon se arsyeja e vrasjeve ndërlidhet me bazën e dobët ekonomike në Kosovë.
Selimi: Shteti i dobët e kriza ekonomike i shkakton të gjitha këto
“Shteti i dobët, të ardhurat e vogla, kriza ekonomike, i shkakton të gjitha këto. Baza ekonomike si të jetë e dobët, njerëzit merren me çdo gjë”, tha ai. / Telegrafi