Kuvendi ka njoftuar mbajtjen e seancës së radhës, e cila këtë herë do të jetë raundi i katërt për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Në njoftimin e publikuar për mediat mbrëmjen e së enjtes, bëhet e ditur se seanca do të mbahet ditën e shtunë në orën 18:00.
“Ju njoftoj se ditën e shtunë, datë 4 qershor, ora 18:00, do të zhvillohet seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë për zhvillimin e votimit të katërt për zgjedhjen e Presidentit të Republikës (Urdhër nr.49, datë 02.06.2022, i Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla”.
Ndërkohë, të premten në orën 17 Partia Socialiste do të mbledhë kryesinë e partisë për të diskutuar – dhe me gjasë vendosur – për kandidatin për president të Republikës.
Kryesia do të vendosë për emrin e kandidatit për president, i cili më pas, do t’i paraqitet formalisht grupit parlamentar të partisë. Pasnesër, të shtunën në mëngjes do të mblidhet komisioni i Ligjeve për të certifikuar kushtetuteshmërinë e kandidatit e më pas, do të mblidhet seanca plenare.