“Pajtohet” Sali Berisha me Ilir Metën.
Ish-kryeministri deklaroi mesditën e sotme se nuk do ta çojë Presidentin në Gjykatën Kushtetuese për faktin që dekretin e lirimit të Bajram Begajt nga posti i shefit të FA-së duke i hapur rrugën për në krye të shtetit e firmosi nga Stambolli.
Kryetari i PD-së deklaroi se Kushtetuta në germë nuk e pengonte Ilir Metën ta bënte një gjë të tillë, por theksoi se fryma ka diskutim.
“Ilir Meta në Kushtetuese? Jo! Unë jam shumë i kursyer në atë drejtim.
E vërteta është që Kushtetuta në germë nuk njeh kufizim, por germa është germë dhe nuk ka kufizime, nuk ka kufizime nëse je jashtë apo brenda si Kushtetutë, por si frymë ka diskutim. Germa e Kushtetutës nuk parashikon, por fryma është tjetër” tha ai.
A ka qejfmbetje mes tij dhe Ilir Metës? “Asnjë. Do të doja ta kishte shtyrë për raundin e pestë dhe shanset për një dështim të raundit të pestë nuk ishin të vogla” tha Berisha.
Madje, jo vetëm që nuk ka qenfmbetje mes tyre, por kryetari i PD-së tha se bashkë me Ilir Metën do të jenë në frontin opozitar kundër Edi Ramës.
“Pa diskutim. Nuk ka diskutim ajo punë. Ajo është normale. Nëse kemi diferenca në gjëra të tilla, asgjë nuk na pengon në betejën kundër Edi Ramës”.
Berisha u shpreh i sigurt kur tha se “nuk i druhem asnjë tradhtie nga Meta”.
Për Samitin e Ohrit, ai tha se synon vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon.
“Sot jam këtu para jush për të denoncuar takimin e aleancës trilaterale të Ohrit, si një aleancë e rrezikshme për paqen, stabilitetin në Ballkan, si një aleancë që synon vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon, si një aleancë që i kundërvihet tërësisht procesit të integrimit evropian dhe procesit të tregut të përbashkët rajonal në kuadrin e nismës së Berlinit.
Pra, ky akt, ky samiti i Ohrit, është një samit që prodhon serbomadhi, rusofili dhe asgjë të mirë për shqiptarët. Përshëndes qeveritë që refuzojnë anëtarësimin në këtë klub të Beogradit” tha ai.