Kombëtarja shqiptare e futbollit ishte një zhgënjim total mbrëmjen e djeshme në humbjen përballë Izraelit në Tiranë. Trajneri Edi Reja deklaroi se është e pafalshme që skuadra të kapet në kundërsulm duke pësuar dy gola. Tekniku italian tha se nuk ka thënë asnjëherë që Shqipëria është favorite duke ua hedhur fajin gazetarëve.
“Ne e dhuruam golin e barazimit në pjatë të argjendtë, ishim 2 kundër 3. Nuk mund të bëhet një dalje ashtu, duhet edhe koka kur je lojtar, duhet arsyetuar në fushë, duhet parë kur duhet të dalësh, duhet vlerësuar cilësia e kundërshtarëve.
Kush e ka thënë që jemi favoritë? Cili opinion? Ju gazetarët. Të tjerët që e dinë futbollin që e dinë forcën që ka Izraeli dhe e pamë edhe sot. U desh të bënim një ndeshje të madhe më vëmendje, u rinisëm mirë, por nëse bën gabim dhe nuk është i pari se po flasim prej tre vitesh, është gjithmonë diçka që nuk bëhet ky hap.
Por jo sepse skuadra nuk ka aftësi, por se bën gabime, se ka dy ndeshje në një. Duhet të lexosh në fushë, unë mund të jap instrumentet por janë lojtarët që duhet të kuptojnë se kush është momenti i rrezikut. Kështu nuk rritesh kurrë, duhet përulësi, me modesti, kështu arrihen rezultatet se kështu nuk shkohet nga asnjë anë.
Tekniku, në fund, ka treguar edhe një prapaskenë, në tunelin e dhomave të zhveshjes: “I thashë që të hyjmë në fushë e mos bëjmë gabime, por bëmë një gabim te goli i parë i tyre, që një skuadër normale nuk e pëson. Nga pikëpamja individuale skuadra dha çfarë kishte, por duhet përdorur pak më shumë koka. Kjo është ajo që dua të them”, tha Reja.