Do të nisë në orën 11:00 mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ndërsa në Prishtinë gjithçka është gati.
Garda Kombëtare e Kosovës është vendosur para hotelit ku do të pritet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në të njëjtin vend do të mbahet edhe mbledhja e tetë e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa siç shihet nga pamjet një tapet i kuq është vendosur ne vendin ku do te kaloje kryeministri Edi Rama.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar të dielën për agjendën e sotme
Pritja dhe mbledhja do të mbahen në një hotel në kryeqytet, ku delegacioni i Qeverisë shqiptare pritet të arrijë aty në orën 10:45, ndërsa në orën 11:00 është planifikuar pritja e kryeministrit Edi Rama nga kryeministri Albin Kurti.
Mbledhja e dy qeverive do të fillojë në orën 11:15, teksa më pas është planifikuar një konferencë për shtyp.
Mbledhja e fundit e dy qeverive ishte mbajtur në nëntor të vitit të kaluar në Elbasan, ku ishin nënshkruar 13 marrëveshje.