Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë – fundjavën e fundit e ka kaluar në Kosovë. Kishte takime formale e joformale.
Me gjithë numrin e madh të takimeve, ai s’është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin – raportet mes tyre në publik perceptohen si jomiqësore.
Rama në Kosovës e ka takuar familjen e ish-presidentit Hashim Thaçit, sipërmarrës, gazetarë, analistë. Madje, ka pirë kafe edhe me dy krerët opozitarë, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Por, jo edhe me Osmanin.
Së fundmi, Vjosa Osmani është kritikuar se e ka “prerë një fotografi” ku shihej Rama. Akuzave presidenca nuk i është përgjigjur.
Megjithatë, Haxhi Avdyli, deputet i afërt me Osmanin, është duke e kritikuar ashpër kreun e ekzekutivit shqiptar.
“Politika e Edi Ramës ndaj Kosovës, përmblidhet nga fjalia e fundit në Konferencën për shtyp. Unë Albinin e kam vëlla, për më lejoni të jem edhe vëllau i Vuçiqit”, ka shkruar Avdyli në Facebook, të hënën.
Nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar mostakimin e Ramës me Osmanin. Por raportet e tyre s’janë të mira, kjo qartazi shihet.
Osmani e Rama kanë edhe të tjera histori. Më 17 dhjetor kur Vjosa Osmani e vizitoi Tiranën zyrtare si U.D e presidences – fjalimin e saj nuk e dëgjoi Rama. S’ishte në seancë teksa ajo po fliste.
Pos kësaj, Rama e quan Thaçin ende president. Kur u pyet nga gazetarët se mos ky komunikim publik i Ramës nënkupton “bojkot ndaj Osmanit”, Rama mohoi.
“Kur unë them presidenti Thaçi, kjo nuk nënkupton që unë nuk e di se cila është presidentja e Kosovës. Nga ana tjetër, Vjosa gëzon shëndet të plotë, nuk ka probleme me gjykatën e Hagës, kështu që unë i uroj shëndet dhe lumturi dhe nuk kam asnjë arsye që kur i adresohem Hashimit, të nënkuptoj se po nënçmoj apo anashkaloj presidenten aktuale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Rama, pasi mbaroi mbledhja e dy qeverive shqiptare.
Kreu i ekzekutivit shqiptar divergjencën kryesore me presidenten e Kosovës e ka te iniciativa rajonale “Ballkani i Hapur”.
Presidenca e Kosovës “Ballkanin e Hapur” e ka cilësuar si projekt që i shërben hegjemonisë serbe – pretendim me të cilin Rama s’pajtohet dhe e konsideron ngecje mbrapa. /Express