Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç falënderoi Edi Ramën për mbështetjen në samitin e BE-së, pas presionit të unionit për të sanksionuar Rusinë dhe më pas shprehu zhgënjimin e tij që Brukseli nuk hapi negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
“Dimitri dhe Edi folën, Serbia ishte mbështetëse për çeljen e negociatave. Ashtu sikur shumë vende ishin, por asgjë nuk ndodhi. Miqtë tanë nga Shkupi dhe Tirana e meritonin dhe mendoj se do ta marrin sa më shpejt. Të dyja vendet kanë bërë gjithçka.
Rama dhe Dimitri ishin të drejtë edhe krahas Serbisë sot. Jam thellësisht mirënjohës Edit dhe Dimirit, ata mbrojnë vendet e tyre në mënyrë mjaft kurajoze.
Prishtina nuk e mori liberalizimin e vizave, as Shqipëria me Maqedoninë negociatat, që i meritonin. Kjo që ndodhi me Tiranën dhe Shkupin ishte e padrejtë” tha ai.
Më pas ai kishte një përgjigje për ata që thonë se pas nismës së Ballkanit të Hapur qëndron Rusia apo Hungaria. “Për Ballkanin e Hapur dikush tha se është ide e Orban. Por Viktor Orban ishte aty.
Dikush tha se ishte ide e Putin. Unë nuk kam folur kurrë me Putin për këtë. Ne e bëmë vetë. Tre vende ballkanike. Është e ndaluar kjo? A duhet ndaluar kjo apo çfarë?” tha ai.