Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në tryezën me temën “Evropa juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”, organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe “The Economist”.
Gjatë fjalës së tij, Kurti tha se Republika e Kosovës është storie e dyfishtë e suksesit.
“Republika e Kosovës është storie e dyfishtë e suksesit. E para është intervenimi i NATO-s më 1999 për të ndaluar gjenocidin e Serbisë dhe duke u mundësuar në këtë mënyrë që të rikthehen refugjatët dhe të ndërtojmë vendin. Storie e dytë e suksesit është rritja ekonomike në Kosovë dhe zhvillimi i demokracisë kualitative dorë më dorë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se demokracia dhe ekonomia shkojnë së bashku dhe se ne Kosova nuk është vend i madh por është shembull i mirë.
Ai ka deklaruar se Ballkani Perëndimor ka nevojë për Procesin e Berlinit.
“Zgjidhja për Ballkanin Perëndimor sigurisht që është Bashkimi Evropian dhe drejt këtij qëllimi, ne kemi nevojë për Procesin e Berlinit, një fillim i ri, një fillim nga kancelari gjerman Olaf Scholz, dhe unë kam besim të madh në udhëheqjen e tij. Unë besoj se me presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelari Scholz në Berlin ne mund të rishikojmë lidhjen transatlantike”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka folur edhe për situatën në Ukrainë, ku tha se që nga dita e parë si Qeveri e Kosovës kanë dënuar agresionin rus.
“Që nga dita e parë ne kemi dënuar agresionin rus në Ukrainë. Nga këndvështrimi jonë ajo çfarë po bënë sot Rusia është fashizëm dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm. Fatkeqësisht ne tash jemi duke u përballur me fashizmin rus, dhe sot ti nuk mund të jesh neutral në mes zjarrit dhe zjarrfikësve. Neutraliteti sipas këndvështrimit tonë është cinizëm dhe nuk ka vend për neutralitet”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka përmendur Serbinë e cila nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, krahasuar me pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kurti ka thënë se duhet t’i sjellim vlerat e Bashkimit Evropian duke i bërë reformat demokratike gjithmonë si prioritet para stabilitetit politik.