-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

U shpall “non grata” nga Kosova, kush është gazetaria ruse?

Kryesoret

Gazetarja ruse, Daria Aslamova, është shpallur të dielën person i padëshirueshëm në Kosovë.

Me vendim të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, asaj i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet.

“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara, cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla në një postim në Facebook.

Daria Aslamova është arrestuar nga Policia e Kosovës në veri të vendit më 6 gusht.

Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë ka raportuar më 7 gusht se media ku punon Aslamova – Komsomolskaya Pravda – ka thënë se ajo është liruar nga autoritetet e Kosovës në mëngjesin e së dielës dhe tani gjendet në Serbi.

Sipas redaktorëve të saj – që është thënë të kenë kontaktuar me Aslamovan – ajo tani është në Rashkë.

Rashka është qytezë në Serbi në afërsi të Jarinjës – pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë.

Aslamova është cituar të ketë thënë se pasi është marrë në pyetje, i është rekomanduar të lëshojë territorin e Kosovës.

Sipas mediumit ku punon ajo, Aslamova ka udhëtuar deri në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë me autobus.

Ajo u ka thënë redaktorëve të saj se edhe zyrtarët kufitarë në Serbi e kanë marrë në pyetje.

Sipas gazetës, Aslamova ka qenë në Serbi dhe Kosovë për të përgatitur “një material special për tensionet e fundit” mes dy vendeve.

Në një postim në rrjetin social Facebook, të datës 5 gusht, ajo shihet në fotografi me peshkopin Stefan të Serbisë.

“Me një bekim të tillë, nuk është e frikshme shkuarja në betejë”, ka thënë ajo në mbishkrimin e fotografisë.

“Raportim nga zonat e luftës”

Daria Aslamova, 52-vjeçare nga Rusia, është korrespodente speciale për të përditshmen ruse, Komsomolskaya Pravda.

Kjo gazetë njihet për qëndrimet e saj pro-Kremlinit.

Aslamova ka punuar edhe në Ukrainë si korrespodente lufte për kanalin që përhap propagandë ruse, Tsargrad.

Ajo është parë si gazetare në shumë zona të luftës përfshirë Çeçeninë, Abhazinë, Nagorno-Karabakun, Osetinë, Taxhikistanin dhe ish-Jugosllavinë.

Përgjatë karrierës së saj, ajo ka intervistuar ish-presidentin irakian, Sadam Hussein dhe presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Ajo është arrestuar disa herë në zonat e luftës dhe e ka të publikuar edhe një libër me titull, “Ditari i një vajze famkeqe”.

Aktualisht Aslamova realizon një emision televiziv të titulluar, “Pikat e nxehta me Daria Aslamovan”.

Raportimet nga Donbasi dhe Mariupoli

Në disa postime në Facebook, ajo shihet se ka qenë në në Ukrainë, përkatësisht në rajonet e Mariupolit dhe Donbasit, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në këtë shtet.

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka urdhëruar më 24 shkurt atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Tri ditë para nisjes së luftës – më 21 shkurt – Putini pati marrë vendim për dërgimin e trupave ruse në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës dhe pati nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës si Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura.

Aslamova e ka konsideruar këtë vendim si fitore për këto dy rajone të njohura si Donbas.

“Kam qarë si fëmijë nga gëzimi! 8 vjet të gjatë… dhe ja ku jemi! Fitore”, ka thënë ajo në një postim të 22 shkurtit.

Separtistët pro-rusë kanë luftuar kundër forcave ushtarake në Donbas, prej vitit 2014, kur Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Çfarë kanë thënë autoritetet e Kosovës për të?

Ministri Sveçla ka thënë se “shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares”.

“Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë”, ka thënë mes tjerash Sveçla.

Autoritetet e Kosovës kanë shprehur shqetësim edhe në të kaluarën për ato që i kanë konsideruar fushata të Rusisë në Ballkan me qëllim të destabilizimit të rajonit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përmendur këtë çështje kur ka takuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Uashington.

Osmani ka thënë se përpjekjet e Rusisë përhapen në Ballkan nëpërmjet “satelitit të saj të Serbisë”.

“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti (amerikan, Joe) Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, ka thënë Osmani më 27 korrik.

Këto përpjekje të Rusisë i ka përmendur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të realizuar më 2 gusht.

Sipas kryeministrisë, Kurti ka thënë se fushata dezinformuese e Serbisë është duke u ndihmuar nga shteti rus.

Ndalesa për hyrje në Moldavi

Sveçla ka thënë po ashtu se autoritetet e Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj, dhe sipas tij, Aslamovas i ndalohet hyrja në shumë shtete.

Me diçka të tillë ajo është përballur në Moldavi më 2017.

Shërbimi moldav i Radios Evropa e Lirë, ka raportuar atëbotë se shërbimet e sigurisë ia kanë ndaluar hyrjen “pasi ajo nuk ka mundur të arsyetojë arsyen e vizitës”.

Ish-presidenti moldav, Igor Dodon, pati thënë se gazetarja ishte nisur për ta intervistuar atë dhe pati kritikuar autoritetet e sigurisë për një vendim të tillë.

Dodon është njohur po ashtu për qëndrimet e tij pro-Rusisë.

Raportet Kosovë – Rusi

Rusia ka formalizuar praninë e saj diplomatike në Kosovë tre vjet para shpalljes së pavarësisë, në vitin 2005.

Asokohe, për hapjen e Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë ka qëndruar ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Kosova atë kohë është administruar nga Administrata e Kombeve të Bashkuara dhe kryeadministrator ka qenë Soren Jessen-Petersen, i cili së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Bajram Kosumi, kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes.

Pjesëmarrja e Kosumit në këtë aktivitet njihet si vizita e vetme e një zyrtari të Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë.

Veprimtaria e Zyrës Ndërlidhëse Ruse është e shfaqur fare pak në publik.

Më 22 tetor të vitit të kaluar, institucionet e Kosovës kanë shpallur persona “non-grata” apo të padëshirueshëm dy diplomatë rusë që kanë punuar në këtë zyrë.

Ata janë detyruar të largohen nga Kosova.

Më 31 dhjetor të vitit 2021, Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e ka shpallur non grata (të padëshiruar) edhe një zyrtar rus të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Sipas njoftimit të ministres, vendimin e ka marrë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“[Vendimi është marrë] për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftim./REL/ 

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit