Greva e sindikalistëve në Kosovë do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave. Kështu thanë përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Ata i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të zgjedhë dialogun, e jo siç thanë, “shantazhet e kërcënimet”.
Rrahman Jashari, i cili është edhe kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, tha se Qeveria e Kosovës po tenton “të ngufatë zërin” e grevistëve.
Ai shtoi se janë duke u konsultuar me ekipet ligjore për mundësinë e ngritjes së padisë ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Ky koment i Jasharit vjen një ditë pasi ministri Murati, tha se punëtorët e sektorit publik, të cilët janë në grevë nga 25 gushti, nuk do të marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës.
“Për 5 ditë pune i bie rreth 90 euro minus këtë muaj [në pagë]”, tha Murati më 29 gusht, gjatë një konference për media.
Por, sindikalistët thanë se Qeveria e ka për obligim të paguajë pagat e punëtorëve gjatë grevës.
“Kërcënimi ka pasur për synim ta frikësojë dikë dhe të ngufatë vullnetin dhe zërin e grevistëve”, tha Jashari.
Që nga 25 gushti, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë dhe qendrore të Kosovës.