Ambasada britanike në Tiranë ka hapur një libër ngushëllimesh për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II.
Autoritete të larta të vendit e njëkohësisht edhe qytetarë të shumtë kanë zhvilluar aty homazhe.
Presidenti Begaj tha se “ishte thellësisht trishtues lajmi për ndarjen nga jeta të monarkes më jetëgjatë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Commonwealth-it, Mbretëreshës Elizabeth II”.
“Ju dërgoj ju, Familjes Mbretërore dhe të gjithë popullit tuaj ngushëllime të sinqerta për këtë humbje të madhe të Mbretëreshës suaj të dashur.

Ajo ia kushtoi jetën shërbimit ndaj kombit dhe popullit. Kujtimi i saj do të jetë i paharruar!”, theksohet në mesazhin e Presidentit Begaj.
Ambasada britanike në Shqipëri do të zhvillojë aktivitete në Tiranë në nder të Mbretëreshës Elizabet, e cila u nda nga jeta ditën e djeshme, 8 shtator.
Sipas njoftimit të ambasadës britanike aktivitetet do të zhvillohen nga sot 9 shtator deri në 15 shtator.
Aktivitete do të zhvillohen në ambientet e ambasadës Britanike në Tiranë në rrugën ‘Skënderbej’.
Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë në historinë britanike u shua në moshën 96-vjeçare.









