Ditën e sotme, Edi Rama zhvilloi një takim dhe dëgjoi dhomat e biznesit për problemet me të cilat përballen. Një prej përfaqësueseve të biznesit, i listoi kryeministrit problemet.
“Elozhet nuk na ndihmojmë të ecim përpara. Duhet të shohim problemin. Vendet e rajonit kanë zgjedhur politika të ndryshme për krizën.
Sot që flasim fatura e energjisë për ne prodhuesit është më e lartë se e rajonit. Kemi kërkuar lejimin e licencave me kapacitetin tonë të prodhimit. Thjeshtë për konsum. Nuk duam të shesim, duam të prodhojmë aq sa e kemi kontratën.
Tjera është regjimi i natës. Ndihemi të diskriminuar. Flasim për fabrika tullash dhe çimento, një është mbyllur dhe një ka falimentuar” tha Elda Baraj.
Përgjigja e kryeministrit, ishte që do të ulemi të flasim, por nuk premtoi gjë. “Për problematikat specifike do të ulemi që të diskutojmë dhe të flasim. Por unë insistoj që është koha për të menduar për të prodhuar energjinë diellore.
Do ta diskutojmë dhe do ta shikojmë me kujdes si mund t’ju lehtësojmë. Ne mendojmë që kush ka më shumë duhet të sforcohet më shumë në momente krizash dhe të mbrojmë çmimin e familjarëve dhe biznesit të vogël” tha ai.
Në fund, Rama u kujtoi të pranishmëve atë që sipas tij po ndodh në Gjermani. “Si mund të ndodhë në Gjermani fikja e dritave pas orës 10 të darkës që të kujton Tiranën kur unë u bëra kryetar bashkie. Është e pabesueshme.
Apo si Gjermania mund të flasë për heqjen e ngrohjes nga pishinat. Apo që Zvicra mund të fusë në burg 3 vite po e çove mbi 19 gradë kondicionerin. Ne nuk duam të hyjmë në kufizimin e energjisë” tha ai.