-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Blendi Kajsiu: Mediat po i mbyt binomi pushtet-biznes

Kryesoret

Nga Blendi Kajsiu

Përplasja e fundit mes qeverisë Rama dhe grupit Media Focus, me pronar zotin Hysenbelliu, ka prodhuar dy lloj reagimesh, njësoj gjysmake. Mbështetësit e qeverisë e shikojnë sulmin ndaj biznesmenit në fjalë si një mundësi për t´í dhënë fund fenomenit të përdorimit të mediave si mburojë e bizneseve të pronarit. Për këtë kamp problemi primar qëndron tek keq-përdorimi i mediave nga pronari. Ndërkohë ndërhyrja brutale e qeverisë dhe tolerimi nga ana e saj i këtij fenomeni është problem dytësor.

Në kampin anti-qeveritar sulmi ndaj biznesmenit interpretohet si një goditje e hapur ndaj një media të lirë. Këtu problemi themelor nuk është keq-përdorimi i mediave nga biznesi, por autoritarizmi i qeverisë që kërkon tu japë një sinjal mediave që guxojnë ta kritikojnë atë sadopak. Natyrisht gazetarët dhe analistët në këtë kamp e pranojnë dhe e kritikojnë keq-përdorimin e mediave nga pronarët biznesmen, por problemi themelor është sulmi qeveritar dhe jo struktura e pronësisë mediatike.

Të dyja janë versione gjysmake që më shumë se të vërtetën reflektojnë pozicionimin politik të palëve. Janë produkte të transformimit të medias nga dëshmitar dhe dokumentues i realitetit në protagonist të tij. Prej kohësh mediat tona raportojnë, informojnë dhe investigojnë shumë më pak se sa marrin pjesë në politikë. Është ky transfomim që fillimisht e ka zëvendësuar gazetarin me analistin, dhe më pas e ka transformuar këtë të fundit nga vëzhgues dhe analizues në protagonist të debatit politik.

E vërteta është se median e pavarur dhe serioze në Shqipërië e ka mbytur simbioza pushtet-biznes. Pushteti i toleron shkeljet e biznesmenit mediatik, i ofron atij ambiente, kontrata apo leje, madje edhe ia lehtëson biznesin në shkëmbim të një mbulimi mediatik që nuk e dëmton atë. Biznesmeni, nga ana tjetër, e ndërton median e tij apo të saj, plotësisht në shërbim të interesave të tij ekonomike.

Natyrisht ka biznesmen që e bëjnë këtë në mënyrë më të sofistikuar dhe të tjerë që e bëjnë në mënyrë më banale. Ama mes interest publik dhe interesit të biznesit gjithmonë dominon ky i fundit. Çka do të thotë se nëse ka një përplasje mes asaj që i interson publikut dhe asaj që i intereson pronarit, fiton kjo e dyta.

Ky është fenomeni që u shfaq qartë në përplasjen e fundit mes qeverisë dhe grupit mediatik, Focus Media Group, të zotit Irfan Hysenbelliu. Kemi një sulm brutal të qeverisë për prishjen e rezortit turistik të biznesmenit në fjalë, dhe largimin e mediave të tij nga ambiente shtetërore. Natyrisht të gjitha aksionet e qeverisë mund të jenë brenda ligjit, ama momenti në të cilin ndodhin është shumë domethënës.

Është pikërisht kur ekziston një përplasje mes biznesmenit në fjalë dhe qeverisë që kjo e fundit kujtohet të shikojë ligjshmërinë dhe përmbushjen e kontratave nga ana e tij. Për ta kuptuar këtë mjafton të lexosh deklaratën e Ministrisë së Financave ku thuhet se grupi mediatik nuk ka paguar detyrimet financiare kontraktuale gjatë 6 viteve të fundit.

Nëse kjo është e vërtetë pyetja që shtrohet vetvetiu është se përse Ministria e Financës e ka toleruar për 6 vite rrjesht këtë shkelje flagrante? Përgjigja është e qartë, sepse biznesi në fjalë kish marrëdhënie të mira me Ramën, Ballën apo Veliajn, sikurse e ka dëshmuar edhe vetë pronari.

Ama goditja e pushtetit ndaj grupit mediatik është vetëm njëra anë e medaljes. Rrjeshtimi ushtarak i të gjitha mediave, gazetarëve dhe analistëve të këtij grupi pas hallit të pronarit dhe jo pas interest publik është goditja paralele që vjen nga brenda saj. Produkt i transformimit të medias në një zgjatim të intereave ekonomike që e financojnë dhe jo në mbrojtëse të interesit publik.

Interesi publik në këtë rast është i qartë. Së pari, duhet informuar në mënyrë objektive në lidhje me përplasjen në fjalë, detyrimet kontraktuale, ekzistenca ose jo e lejeve ndërtimore, etj. Thjesht duhet bërë gazetari. Së dyti, duhet vendosur lajmi në dimensionin e tij real për publikun në përgjithësi. Pra i duhet dhënë një rëndësi që është proporcionale në raport me shumë lajme të tjera që i interesojnë publikut.

Fatkeqësisht më shumë se te informimi apo investigimi mediat në fjalë u fokusuan tek denoncimi i qeverisë. Ndërkohë lajmi i përplasjes së tyre me qeverinë eklipsoi pothuajse cdo lajm tjetër, duke përfshirë edhe krizën energjitike që afrohet dhe pasojat e rënda që ajo do të ketë për qytetarët, sidomos gjatë dimrit.

Ndaj përplasja mes qeverisë dhe grupit mediatik Fokus nuk është thjesht një shembull më shumë i reduktimit të lirisë së mediave në Shqipëri nga një pushtet autoritar. Natyrisht që kjo është një pjesë e së vërtetës. Ama ndonëse pushteti mund tu japë mediave goditjen përfundimtare ato bien shumë lehtë sepse themelet e tyre si roje të interesit publik i kanë ngrënë prej kohesh pronarët që i kanë transformuar në zgjatime të interesit personal. Për pasojë bëhet e vështirë t’ia shesësh publikut përplasjen me qeverinë si një çështje të interesit publik apo të lirisë mediatike.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit