Nga rreth një miliard dollarë ndihmë ushtarake që DASH paralajmëroi për 17 vende evropiane, 23 milionë do të shkojnë në Mal të Zi për forcimin e sektorit të mbrojtjes.
Nuk dihet ende se sa para do të marrin vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat, përveç Serbisë, janë po ashtu në listë.
Ministria e Brendshme e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.
Nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë se kjo ndihmë, e cila i ndahet edhe Ukrainës, tregon përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara “për të ardhmen e Ukrainës si një shtet demokratik, sovran dhe i pavarur, si dhe për sigurinë e aleatëve dhe të partnerëve në të gjithë rajonin”.
SHBA-ja ndau rreth 15.2 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën – sidomos nga fundi i shkurtit, kur Rusia nisi pushtimin e këtij vendi.
Më 8 shtator, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, prezantoi një ndihmë të re prej 2.2 miliardë dollarësh, por përveç Ukrainës, ajo do t’u ndahet edhe 17 vendeve të tjera.