Një gjykatës amerikan që po shqyrton të dhënat e sekuestruara nga shtëpia e ish-presidentit Donald Trump në Florida.
U kërkoi të enjten avokatëve të zotit Trump që të paraqesin çdo provë që hedh dyshime mbi integritetin e dokumenteve. Për të cilat ish-presidenti ka pretenduar pa argumente se ishin vendosur nga agjentët e FBI-së.
Gjyqtari i lartë federal Raymond Dearie u emërua nga një gjykatëse tjetër si ekspert i pavarur për të verifikuar dokumentet.
Ai i kërkoi gjithashtu Departamentit të Drejtësisë të verifikojë deri të hënën një inventar të detajuar të materialeve që FBI konfiskoi në kontrollin e 8 gushtit në Mar-a-Lago.
Gjykatësi Dearie u kërkoi avokatëve të zotit Trump që të dorëzonin deri më 30 shtator një listë të detajuar të artikujve në atë inventar “që paditësi pretendon se nuk ishin sekuestruar nga rezidenca”.
Gjykatësi u kërkoi atyre gjithashtu të paraqisnin deri në atë date çdo korrigjim që mund të kishin për listën e Departamentit të Drejtësisë.
“Kjo do të jetë mundësia e fundit e paditësit (ish-presidentit Trump) për të parashtruar çdo kundërshtim faktik në lidhje me saktësinë e Inventarit të Detajuar,” shkruan gjykatësi Dearie.
Kontrolli u krye si pjesë e një hetimi penal federal për të përcaktuar nëse zoti Trump kishte mbajtur në mënyrë të paligjshme dokumente nga Shtëpia e Bardhë.
Zoti Trump e ka quajtur hetimin të motivuar politikisht. Ai gjithashtu ka pretenduar, pa dhënë prova, se kishte deklasifikuar çdo dokument të gjetur në Mar-a-Lago dhe se FBI kishte vendosur dokumente me qëllim.