Pesë ditë pas vrasjes së të riut Erjon Xhenje në Shkodër nuk ka asnjë të arrestuar. Por të paktën policia, tha se e identifikoi vrasësin.
Sipas bluve të Shkodrës ai është Bajram Çekorja, të cilit pak ditë më parë iu vra i ati në mes të ditës.
Por cila ishte arsyeja?
Erjon Xhenje ishte vetëm 19 vjeç. Ai ishte student i shkëlqyer fizioterapie, jeta e të cilit u ndal mbrëmjen e 18 shtatorit.
I riu u vra teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” në Shkodër, kur u qëllua për vdekje.
I riu nuk ishte i përfshirë në ngjarje kriminale. Faji i vetëm i tij duket se ishte puna që bënte në fermën e kuajve të Asmer Bilalit, një personazh i njohur në Shkodër.
Edhe i ati i të riut, tha pas vrasjes se jo i biri, por ishin kushërinjtë e tij të përfshirë në ngjarje kriminale.
Dyshimet janë se Erjon Xhenje mund të jetë vrarë si objektivi më i arritshëm për hakmarrjen që Bajram Çekorja duket se po kërkonte për vrasjen e të atit të tij.