Në Iran po duken shkëndijat e para të një revolucioni. Që tani ky mund të quhet «Revolucioni i djegies së shamive». Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini pas arrestimit nga policia iraniane ka ngjallur zemërim të madh në shumë qytete iraniane.
Amini u arrestua për shkak se nuk e bartte shaminë sipas «rregullave islamike». Njëra ndër parullat kryesore të protestave është kjo: «Gruaja, jeta, liria». Autoritetet fillimisht thanë se Mahsa Amini vdiq në spital nga sulmi në zemër dhe pa ndikim nga jashtë.
Televizioni persian me seli në Londër «Iran International» emitoi pamje nga spitali ku Mahsa Amini shihej në intensivë. Në pamjet radiografike shihen gjurmë të lëndimeve në kafkë.
E gjendur nën presionin e protestave, qeveria e shkarkoi shefin e policisë fetare të Teheranit, por kjo masë nuk i qetësoi protestuesit. Që nga fitorja e revolucionit islamik më 1979 në Iran vlejnë rregulla të ashpra të mbulimit të grave.
Teologu Mohamad Ali Ahangarah kërkoi të hiqet obligimi për bartjen e shamisë. Të njëjtën kërkesë e bëri edhe zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut.