-sidi education-spot_img
16.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fitorja e Melonit dhe nevoja për parti të reja e liderë të pakonsumuar

Kryesoret

Nga Adri Nurellari

 Pavarësisht dëshirës së opozitës në Shqipëri për t’i konsideruar zgjedhjet në Itali si dëshmi të supremacisë të së djathtës, fitorja e Vëllezërve të Italisë ( Fratelli d’Italia) ishte faktikisht një fitore e votës ndëshkuese kundër status-quo-së. Pra vota italiane, më shumë sesa një zhvendosje drejt të djathtës qe votë kundër kastës së degraduar të politikës, ose thënë ndryshe, qe një shuplakë e ripërsëritur ndaj elitës së vjetër dhe liderëve të konsumuar të politikës italiane.  Kjo sjellje e eksperimentimit është tashmë një karakteristikë italiane sikurse e dëshmuan edhe zgjedhjet e parafundit të vitit 2018 ku gjithashtu italianët eksploruan me një parti të re të paprovuar më herët, Lëvizjen 5 Yjet (Movimento 5 Stelle). Prandaj leksioni kryesor i zgjedhjeve të fundit të Italisë për Shqipërinë ishte pikerisht që qytetarët janë të dëshpëruar për një parti të re me një lider te ri qe nuk është provuar më parë dhe që nuk është përfolur apo komprometuar gjatë qeverisjes. Kjo nuk është aspak gjë e rrallë për Italinë, përkundrazi është bërë një modë e dekadave të fundit tashmë prandaj këto zgjedhje kurrsesi nuk mund të konsiderohen si tërmet.

Revoltimi politik si pasojë e zhgënjimit me partitë tradicionale që përkthehet në vota për oferta të reja politike anti-establishment është bërë modë politike në Itali gjatë këtyre tre dekadave, prej metamorfozës së madhe që pati sistemi partiak italian dhe shëmbja e Republikës së Parë italiane në fillim të viteve 90-të. Sistemi partiak italian ende nuk e ka marrë veten tamam nga pasojat që sollën hetimet dhe ndeshkimet masive  për korrupsion që iu bënë drejtuesve të partive tradicionale të cilat në atë kohë u quajtën tangetopoli apo mani pulite. Skandalet e zbuluara atëhere sollën në shpërbërjen e dy partive të mëdha që kishin dominuar vendin për gjysëm shekulli, kristian demokratëve dhe socialistëve duke i lënë votuesit italianë pa busullën tradicionale të orientimit politik dhe duke nisur atë epokë politike që ndryshe quhet Republika e Dytë italiane. Votuesit italianë të ngelur “rrugëve të braktisur” nga partitë historike tashmë të zhdukura, filluan të bëheshin tradicionalisht pre e liderëve karizmatik populistë të cilët janë ngritur në pushtet duke kalëruar votën e protestës. Pra ka qenë kjo llojë vote zhgënjimi e proteste që ka sjellë në pushtet figurat e reja jo-konvencionale si Berlusconin, Renzin, Lëvizjen Pesë Yjet me Salvinin, por që mandej këto fitore janë shfryrë me të njëjtën shpejtësi.

 Në këtë aspekt sjellja elektorale e vitit 2022 ishte një ripërsëritje e sjelljes së votuesve italianë gjatë zgjedhjeve parlamentare italiane të vitit 2018. Kur shikohet rezultati i atyre zgjedhjeve që sollën në pushtet një parti të re jo-konvencionale me nuanca të majta por e paprovuar më parë në pushtet, kuptojmë se italianët kanë vënë në jetë shprehjen amerikane “politikanët dhe pelenat e fëmijëve duhen ndërruar shpesh, për të njëjtën arsye”. Në atë kohë Lëvizja 5 Yjet e Luigi di Maio shkoi në 32.68% të votave ose 227 deputetë duke dyfishuar numrin e deputetëve krahasuar me 109 deputetët që kishte në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2013. Pra 5 Yjet, si parti e formuar pak vite më herët dhe e paprovuar ndonjëherë në pushtet asokohe korri një rezultat edhe më të thellë se Meloni sivjet. Mirëpo ajo shpresë e madhe për këtë parti populiste u shfry shpejt, qeveritë e drejtuar nga 5 Yjet, Conti 1 dhe Conti 2 dështuan njëra pas tjetrës dhe për pasojë  u zëvendësua nga një qeveri e unitetit kombëtar të kryesuar nga Mario Draghi.  Formimi i këtyre qeverive jo-politike, të drejtuar nga kryeministra teknikë dhe me bazë të gjerë mbështetje por që nuk janë rezultat i vullnetit të votës. është bërë një lloj gangrene tradicionale e jetës politike italiane që dëshmon për degradimin e elitës politike. Kjo traditë e nisur që në vitet 90-të me qeveritë e Carlo Azeglio Ciampit dhe Lamberto Dinit, për të vijuar me Mario Montin dhe së fundmi me kabinetin e Mario Draghit në njëfarë mënyre edhe e ka përforcuar mosbesimin e votuesve italianë për aftësinë e partive tradicionale për të qeverisur. 

 Ky mosbesim ndaj partive tradicionale demonstrohet edhe nga rënia e pjesëmarrjes në votime duke kapur rekordin më të ulët historik prej 63.9%, një zbritje prej 9% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2018. Kur shikohet se cilat janë rajonet që kanë pasur nivelin më të ulët të pjesëmarrjes janë pikërisht ato bastione historike elektorale të partive tradicionale, ku me sa duket votuesve iu ka ardhur në majë të hundës me zhgënjimet e njëpasnjëshme të partive të tyre dhe nuk e konvertojnë votën, por thjesht nuk dalin fare që të votojnë.  Ngelet për të parë nëse Vëllezërit e Italisë do t’ia dalin në qeverisje që t’i përmbushin pritshmëritë e mëdha të votuesve apo do të shfryhen si Lëvizja 5 Yjet e cila u përgjysmua duke marrë sivjet 15.4% të votave.

Një tjetër gjë që meriton të analizohet është fakti që kur dolën rezultatet e para, fitorja e zgjedhjeve në Itali nga partia  e Giorgia Melonit, u portretizua nga krahu i djathtë në Shqipëri si një ogur i mirë që shënon një klimë të kthimit të të djathtës në Evropë dhe eventualisht edhe në vendin tonë. E njëjta gjë u argumentua pas fitores së koalicionit të të djathtëve në Suedi me idenë që kjo përbën një valë të të djathtës që do duhet të kapi edhe Shqipërinë. Faktikisht n zgjedhjet e 11 shtatorit në Suedi, partitë e krahut të djathtë siguruan 176 vende në Riksdagut të përbërë nga 349 vende; ndërsa partitë e krahut të majtë së bashku morën vetëm 173 vende. Megjithatë diferenca është goxha e vockël kështu që nuk mund të flitet për ndonjë përmbysje.  Situata është ndryshe për Italinë ku koalicioni i djathtë drejtuar nga Meloni fitoi 237 nga 400 vendet në Dhomën e Deputetëve dhe 115 nga 200 vendet e Senatit. Partia Fratelli d’Italia në votë popullore pothuaj u gjashtëfishua duke vajtur nga 4.35%  në 2018 në 26.01 në 2022. Megjithatë kjo më shumë sesa një fitore e së djathtës mund të konsiderohet një fitore e Fratelli d’Italia, sepse si bllok nuk ka ndonjë përmbysje të madhe (43.79%) por thjesht kemi të bëjme deri diku me një një rishpërndarje të mbështetjes mes partive të së djathtës (që në vitin 2018 kishte marrë 37%) ku Meloni gjashtëfishohet ndërsa Salvini dhe Berlusconi përgjysmohen.

 Për hir të së vërtetës duhet thënë se kundërshtarët e partive të djathta morën më shumë vota po të llogariten të bashkuara, mirëpo përçarja bëri që ato vota mos të materializoheshin në mjaftueshëm deputetë. Kështu tre listat rivale të bllokut të djathtë, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, Lëvizja Pesë Yjet dhe aleanca Renzi-Calenda së bashku morën 49.3%. Mirëpo sistemi elektoral I ppërzjerë favorizoi bllokun e djathtë sepse nga 400 deputetë që ka dhoma e ulët e parlamentit (Camera dei deputati) 147 zgjidhen me mazhoratar të thjeshtë pa ballotazh (FPTP) nga zonat zgjedhore njëanëtare. Koalicioni i djathtë doli me vetëm një kandidat të përbashkët në secilën nga këto zona duke siguruar 121 deputetë ndërsa kundërshtarët dolën të përçarë me tre kandidatë të ndryshëm duke siguruar fitore në vetëm 26 zona zgjedhore. Ky zhvillim përbën një déjà vu dhe njëherazi leksion për opozitën shqiptare e cila nuk nxorri mësim nga pësimi i zgjedhjeve 2017 dhe prapë në 2021 nuk ia doli të maksimalizojë e racionalizojë votat. Në 2017 Partia Socialiste mori 48.34 % ose rreth 26 mijë vota më pak se partitë rivale mirëpo siguroi 53% të parlamentit.

 Në vijim, duhet thënë se është paksa ironike që Giorgia Meloni, liderja femër e një partie që quhet “Vëllezërit e Italisë” sipas vargjeve të para të himinit italian të Mamelit,  do të jetë kryeministrja e parë femër italiane. Ajo që e bën akoma më të veçantë është fakti që do të jetë edhe liderja e parë e ekstremit të djathtë që nga Musolini dhe me gjasa do ta marrë pushtetin në fund të tetorit kur edhe do të përkojë me 100 vjetorin e marshimit të këmishzinjve fashistë në Romë. Megjithatë , pavarësisht retorikës emocionale me nuanca populiste që bëhet edhe për shkaqe elektorale, mund të themi se referencat historike dhe analogjitë me Musolinin janë paksa të ekzagjeruara.

  Prandaj duhet theksuar se pavarësisht sulmeve që i bëhen kësaj partie, si trashëgimtare e partisë fashiste, kjo parti nuk i përket grupimit më ekstrem të partive evropiane, por grupimit që quhet Partia e Konservatorëve Reformist të Evropës (ECR), madje Meloni është aktualisht presidentja e grupit.  Këtu ia vlen të ndalemi pak për të sqaruar edhe komenteve që e shoqëruan këtë parti në mediat shqiptare. Ky grupim u krijua në 2009 si skizëm e grupimit të partive popullore duke kundërshtuar idenë e federalizmit evropian e duke kërkuar një reformë të madhe të BE-së të bazuar në Eurorealizëm (i cili dallon nga Euroskepticizmi). Konkretisht ECR beson se e ardhmja e duhur për Evropën nuk është as shpërbërja dhe as një supershtet federal por një organizatë ndër-shtetërore që respekton sovranitetetet shtetërore dhe identitetet kombëtare. Kjo do të thotë që zhurma e madhe për një tronditje të madhe brenda Bashkimit Evropian nuk janë shumë të bazuara. Aq më tepër që me defiçitin e madh buxhetor që ka Italia sot është e dëshpëruar për të pasur mbështetjen e BE-së për të mbijetuar.            

 Shumë zëra publik që kanë folur për Vëllezërit e Italisë dhe Melonin e ngatërrojnë me një tjetër grupim evropian që mbledh ekstremistët dhe euroskeptikët e cila quhet Partia e Identitetit dhe Demokracisë. është ky grupimi më radikal i djathtë i partive evropiane ku përfshihet Mitingu i Madh i Lë Pen, Lega e Salvinit apo Partia për Lirinë e Wilders etj. Retorika e këtyre partive është shumë më e ashpër dhe e ndezur për sa i përket manifestimit të racizmit kulturor, anti-imigracionit, islamofobisë apo anti-semitizmit. Megjithatë përtej sqarimit të pozicionimit të Fratelli d’Italia në spektrin e partive evropiane, mësimi kryesor që duhet të nxirret nga fuqizimi i kësaj partie është aftësia e kësaj partie për t’u projektuar si e re, ndryshe, jo pjesë e establishmentit politik italian.  Ndryshe nga Lega dhe Forza Italia, ajo qe partia e vetme e djathtë që refuzoi të bëhej pjesë e qeverisë teknike me bazë të gjerë , të drejtuar nga Mario Draghi duke bërë kontrastin me partitë e tjera.

  Ndërkohë që qëndroi në opozitë Meloni bëri opozitë relativisht konstruktive dhe në disa raste e mbështeti qeverinë Draghi si për shembull në politikën e jashtme për mbështetjen e Ukraniës në kushtet e agresionit rus apo për nisma që lidheshin me Brukselin. Në këtë mënyrë Meloni u duk lidere serioze dhe e zbuti imazhin e radikales që kishte ndërtuar në rini dhe njëherazi tregoi se ishte ndryshe nga partitë e tjera tradicionale që ishin të etura për t’u kacavjerrë me thonj me çdo kusht ndaj pushtetit. Po ashtu tregoi kurajo dhe identitet të qartë politik duke dalë hapur kundër sistemit së mirëqënies sociale të quajtur “Të ardhurat e qytetarëve” (reddito di cittadinanza) pavarësisht se kjo gjë mund ti shkaktonte kosto elektorale. Të ardhurat e qytetarëve u propozuan nga Lëvizja Pesë Yjet në janar të 2019 dhe bëhet fjalë për njëlloj rroge minimale të garantuar nga shteti për çdo qytetar dhe meloni e ka kundërshtuar duke deklaruar se kultivon varësi dhe parazitizëm të krahut të punës gjë që dëmton rëndë ekonominë e vendit dhe buxhetin

Për më tepër, duhet thënë se fitorja e Giorgia Melonit ka edhe disa leksione të tjera të vlefshme për jetën politike shqiptare. Një prej tyre është fakti që është gruaja e parë kryeministre në një shoqëri goxha konservatore patriarkale sikurse është ajo italiane, çka thërret për një përfshirje më të madhe të grave në role drejtuese reale të jetës politika shqiptare.  Theksojmë elementin real, sepse emra grash të emëruara nga lideri për fasadë ka pafund në historinë politike të Shqipërisë, por nevoja është për gra që kanë realisht peshë e fuqi të pavarur vendim-marrje.

 Së fundmi, po të shikohet karriera e Melonit, spikat fakti që ajo ka qenë kryetare e forumit rinor Azione Giovani të partisë Alleanza Nazionale të Gianfranco Finit dhe mandej kur kjo parti u shkri në lëvizjen politike të quajtur  të Popolo della Libertà të drejtuar nga Berlusconi, ajo u bë kryetare e forumit të saj rinor të quajtur Giovane Italia. Fakti që në 2012 u largua nga kjo lëvizje politike e Berlusconit për të krijuar Fratelli d’Italia është gjithashtu një dëshmi e dekadencës së partive politike që nuk ndryshojnë kurrë lider sepse trajtohen si pronë private të themeluesve të tyre. Jo më kot Forza Italia e Berlusconit dhe Lega e Salvinit i cili e drejton këtë parti prej  vitit 2013 në këto zgjedhje morën gjysmat e votave krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, sepse qytetarët duan jo vetëm parti të reja por edhe liderë të rinj. As Salvini e as Berlusconi nuk kanë mbajtur ndonjëherë përgjegjësi për fiaskot elektorale. Nga ana tjetër e majta ku liderët kanë mbajtur përgjegjësi dhe janë dorëhequr (gjë që sapo u shpall edhe nga Enrico Letta ) ka pasur një konstante duke shtuar me 1.9%  peshën në dhomën e ulët të parlamentit të ri krahasuar me atë që doli nga zgjedhjet e vitit 2018.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit