Në fundjavë Sali Berisha ishte në qarkun e Gjirokastrës. Ai zhvilloi takime me banorët në disa qytete, Tepelenë, Memaliaj, Libohovë, por edhe në bastionin blu, Lazaratin. Ish-kryeministri sot në një deklaratë për mediat listoi tronditjet që kishte pësuar nga kjo vizitë në fundjavë në terren. Akuza të forta kishte edhe për operacionin e 2014 në Lazarat.
“Kthehem nga Gjirokastra më i motivuar se kurrë në përpjekjen tonë për të shpëtuar Gjirokastrën dhe Shqipërinë nga regjimi absolutist i Edi Ramës.
Unë me përgjegjësi mund t’u them shqiptarëve se jugu i Shqipërisë ndodhej në situatën më dramatike. Shpopullimi i Gjirokastrës dhe i jugut është i paimagjinueshëm.
Rrënimi ekonomik si shkak i këtij shpopullimi tejkalon të gjitha përmasat. E kam menduar disa herë udhëtimin tim, mund ta vlerësoj si udhëtimin në katakombet e biznesit të jugut.
Do u jap vetëm një shembull. Në Libohovë nga 50 kompani ndërtimi në 2015, sot nuk kishte asnjë. Në Gjirokastër kaloje rrugës të lëndonte në shpirt, bizneset e falimentuara. Largimi i institucioneve kishte boshatisur Gjirokastrën si qendër administrative.
Nuk më hiqet nga mendja një nënë, që më tha “i thuaj Edi Ramës; si mund të shkoj unë në Tiranë me një certifikatë me pensionin që kam”. Në Lazarat konstatova që Rama dhe Tahiri kanë kryer krime kundër njerëzimit.
Në këtë fshat, krime të vërteta me operacionin e tyre anti-drogë. Bandat me uniformë nuk kanë nguruar ti vendosin tytën e automatikut fëmijës, nënës apo kryeplakut të fshatit” tha ai.









