Katër ditë pas vendimit të gjykatës së posaçme, SPAK është vendosur në lëvizje.
Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion ka ankimuar vendimin për ish-deputetin socialist Alqi Bllako i cili u lirua nga qelia me motivin se kishte tre fëmijë të mitur për të cilët duhej të kujdesej.
Bllako u arrestua në 31 mars pasi hoqi dorë nga mandati i deputetit nisur nga kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Sipas SPAK-ut ai ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit.
Kjo shkelje, thotë Prokuroria e Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi.
Ish-ministri Koka vijon që të jetë në burg. Dy njerëzit kryesor të skemës së inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë në arrati dhe pagesat për kompanitë e tyre vijojnë normalisht nga qeveria.