Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Tiranë.
Në drejtorinë e policisë u shoqëruan Indrit Dokle me kunatin e tij Gentian Ruçi dhe mikun e tyre Fatjon Murati.
Të tre ishin duke udhëtuar me një makinë të blinduar në rrugët e Tiranës. Makina u sekuestrua, por kush e ka në pronësi?
Pronari i makinës së blinduar është një bullgar. Me ndryshimet ligjore automjetet e blinduara janë të ndaluara të përdoren.
Lejohen vetëm kur pas kërkesës, leja miratohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Indrit Dokle ka qenë drejtues i bandës së Durrësit, ndërsa është liruar nga burgu në janar të vitit 2020.
Dokle njihet për armiqësinë e tij me Ervis Martinaj, pasi ky i fundit ka qenë i gatshëm të paguajë 500 mijë euro për ekzekutimin e Dokles.
Ky detaj ka dalë nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani. Ai kishte marrë 100 mijë euro parapagesë Martinajt për të vrarë Doklen, por ky objektiv nuk u arrit kurrë.
Dumani deklaroi se Dokle lëvizte me makinë të blinduar, pikërisht automjetin që u sekuestrua.
Por cfarë ndodhi me të shoqëruarit?
Indrit Dokle dhe kunati i tij u liruan pasi u morën në pyetje mbrëmjen e 8 tetorit.
Për Fatjon Muratin prokuroria ka kërkuar masën e arrestit me burg.
Ai ishte person në kërkim si i dyshuar për mbajtje pa leje të arsenalit të armëve të sekuestruar në Tiranë.
Murati u lakua në media se ishte kërkuar që të merrej në pyetje edhe pas masakrës së Fushës Krujës.
Por në kërkim ishte shpallur pasi efektivët kishin gjetur gjurmët e tij të gishtërinjve në kutinë e një arme.
Gjurmët e Muratit ishin gjetur në kutinë e një pistoletë të sekuestruar më 13 korrik, ku u zbulua baza e armatimeve që i përkiste Kristjan Gjinit.
Murati deklaroi se gjithçka mund të ketë qenë aksidentale, pasi nuk ka asnjë lidhje me arsenalin dhe depon e armëve.