Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha që është optimist për liberalizmin e vizave. Në konferencën e përbashkët me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, pasi pranoi raportin për vendin për vitin 2022 të Komisionit Evropian, ku konfirmohet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.
Ky dokument, do të jetë edhe bazë për diskutimin në grupin punues për vizat në Këshill këtë të enjte në Bruksel.
I pyetur rreth propozimit franko-gjerman, Kurti tha se nuk ka propozim të tillë për marrëveshje finale.
“Ka diskutime, ka opsione, ka teste e sprova, por nuk mund të them që ka diçka të ngurtësuar që do ta prezantonim në formë përfundimtare”, tha ai.
Kurti po ashtu tha se është optimist edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Dialogu përmendet edhe në Raportin e KE-së, ku thuhet se nga të dyja vendet kërkohet angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre.
Një gjë e tillë u përsërit të mërkurën edhe nga Komisioneri për Zgjerim Oliver Varheley. Në një komunikim për mediat në Bruksel ka deklaruar se nëse Serbia dëshiron të përshpejtojë negociatat, atëherë duhet të zgjidhë çështjen e harmonizimit me politikën e jashtme të Bashkimit.
Gjithashtu ai theksoi se Serbia kohët e fundit ka bërë lëshime në dialogun me Prishtinën duke përmendur marrëveshjen e arritur për kartat e identitetit që u arrit këtë verë.
Kosova dhe Serbia kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Përderisa Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, por pa specifikuar se për çfarë zgjidhje bëhet fjalë./Express