Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka akuzuar Serbinë për kontributin e saj në rritjen e numrit të emigrantëve që po vërshojnë Evropën.
Baerbock shprehu frikën e saj për një luftë hibride të zhvilluar nga Rusia dhe theksoi se në këtë luftë po marrin pjesë edhe vende të tjera, duke iu referuar Serbisë, transmeton mediumi serb “N1”.
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar Serbinë se është duke funksionuar si një “derë hyrëse” për emigrantët nga Turqia, India, Tunizia, Kuba dhe Burundi, të cilët nuk kanë nevojë për vizën serbe.
Shefja e diplomacisë gjermane theksoi se Gjermania është në kontakt me Çekinë dhe Sllovakinë për të gjetur një zgjidhje kundër riaktivizimit të “rrugës ballkanike” të emigrantëve.
Numri i njerëzve që hyjnë në BE nëpërmjet Ballkanit Perëndimor, veçanërisht nga Serbia, është rritur këtë vit, pjesërisht për shkak të politikave miqësore të vizave të Serbisë.
Serbia fal marrëveshjes që ka me BE-në për udhëtim pa via në Union, ka lehtësuar punën e njerëzve që udhëtojnë nga vendet e treta për në Beograd, e të cilët më pas vazhdojnë për në shtetet e BE-së.
Në nëntë muajt e parë të vitit 2022 zyrtarët e BE-së kanë raportuar se mbi 106 mijë njerëz kanë hyrë në BE nga Ballkani Perëndimor pa dokumentacion përkatës, pra tre herë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak dhe dhjetëfish më shumë se sa në vitin 2019.
Diplomatët e BE-së janë tashmë të frustruar që Serbia, një anëtare aspirante e BE-së, nuk e ka ndjekur Brukselin në sanksionimin e Rusisë. Dhe tani ka gjithashtu frikë se Beogradi në fakt po ndihmon në mënyrë indirekte Kremlinin të mbjellë mosmarrëveshje në BE përmes një fluksi të ri emigrantësh – një taktikë që Rusia dyshohet se e mbështet diku tjetër përgjatë kufijve të bllokut.