Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi e cilësoi shantazh fjalën e kryeministrit Edi Rama sot përpara anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për katet pa leje që janë konfiskuar. Kreu i qeverisë i kërkoi gjykatës Kushtetuese ta mos pranonte ankimin e depozituar nga Bardhi për rrëzimin e aktit normativ. Këtë Bardhi e cilëson shantazh.
“Aq shumë ka humbur lidhjen me realitetin, sa mendon që Këshilli i Oligarkëve është organ suprem në Shqipëri. Dikush duhet ta kthej me këmbë në tokë: Gjykata Kushtetuese duhet të garantojë barazinë përpara ligjit. Nëse qytetarët e zakonshëm shkojnë në burg për ndërtim pa leje, i njëjti rregull vlen edhe për oligarkët e tu. Zbato ligjin, konfisko kullat e krimit e korrupsionit që janë pa leje dhe dorëzo para drejtësisë ata oligarkë që me lejen tënde kanë ndërtuar pa leje. Boll shantazhove Gjykatën Kushtetuese për llogari të 5 oligarkëve që i ke dhënë statusin të paprekshëm” tha ai.
Qeveria përmes një akti normativ konfiskoi disa prej kateve pa leje në Tiranë duke i shpëtuar ndërtuesit nga burgu. PD kërkon që ndërtuesit e mëdhenj, që i cilëson oligarkë të trajtohen njëlloj me qytetarët e thjeshtë.