Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Joseph Borrell ka telefonuar sot në mbrëmje kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq lidhur me situatën e tensionuar në veri të vendit.
Borrell ka lëshuar një deklaratë, në të cilën u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme.
“Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”.
Ai tha se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale, pasi sipas tij, ky veprim ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.
“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”
Borrell i kërkoi Kosovës që të zgjatin menjëherë procesin e riregjistrimit të automjeteve duke e pezulluar kështu edhe vendimin për ndërshkimin e automjeteve me targa KM.
“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”.
Në deklaratën e lëshuar nga Borrell thuhet se BE-ja i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe./Express