Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se pavarësisht zhvillimeve të fundit në veri, institucionet shtetërore kanë vazhduar normalisht punën. Sipas Kurtit Serbia po saboton dialogun dhe arritjen e marrëveshjes finale.
Ai ka thënë se institucionet po vazhdojnë të bëjnë zëvendësimin e targave ilegale në RKS. I pari i ekzekutivit thotë se deri më tani janë shqiptuar mbi 800 qortime.
Kurti akuzoi se Serbia po vazhdon lidhjet e saj me Rusinë e Kinën, derisa po kundërshton propozimin franko-gjerman.
“Nuk bëhet fjalë as për targat e as për Nenad Gjuriqin, por në pyetje është vetëm refuzimi që ata po i bëjnë planit franko-gjerman”, tha Kurti.
“Janë intensifikuar kërcënimet dhe përpjekjet e Vuçiqit për destabilizimin e situatës në vendin tonë dhe këto kërcënime janë praktikisht të orientuara në drejtim të qytetarëve të vendit tonë nëpërmjet ngjalljes së frikës dhe panikut”, ka theksuar Kurti.
Ministri: 578 policë serbë dhanë dorëheqje në Mitrovicën e Veriut
Kurti tha se presidenti serb, i ka intensifikuar përpjekjet për destabilizim pasi tha se kështu dëshiron ta kamuflojë refuzimin e tij për planin franko-gjerman.
“Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ia kanë bërë propozimit të Parisit dhe të Berlinit”, tha Kurti.