Në njoftimin të dytë, policia ka sqaruar se personi që ka qëlluar me armë zjarri në Kamëz mbrëmjen e djeshme ka pasur në shënjestër disa automjete të parkuara në rrugën “Donald Trump”.
Sipas njoftimit të policisë, autori i të shtënave ka qenë i ulur pas në motomjet dhe ka qëlluar në drejtim të mjeteve.
Për pasojë, dy automjete kanë pësuar dëmtime, por nuk ka asnjë të plagosur.
Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorit.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë, sipas të cilit në rrugën “Donald Trump”, në Kamzë, një shtetas ende i paidentifikuar, i ulur pas në motomjet, ka qëlluar me armë zjarri, nga veprimet e para hetimore rezulton se ka qëlluar në drejtim të automjeteve të parkuara, për pasojë, dy automjete kanë pësuar dëmtime.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit të dyshuar. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e kapjen e autorit/ëve.