Disa detaje të reja janë zbuluar nga 11 të arrestuarat në serrën e kanabisit në fshatin Kutalli në Berat.
Mes të prangosurëve janë dhe 4 pjesëtarë të familjes Mema nga Fushë-Kruja. Dy gratë Drita Mema dhe Izmire Mema kanë qenë së bashku me bashkëshortët e tyre, Bashkim Mema dhe Edison Mema që dyshohet se janë dhe organizatorët që kanë mbjellë serrën dhe kanë punësuar gratë.
Po ashtu, mes të arrestuarve është edhe pronari i serës, Hamit Dyli, i cili edhe pse mohoi të kishte dijeni për aktivitetin kriminal, pasi e kishte dhënë serrën me qera u kap brenda saj.
Shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të serave 700 arka të mbushura me bimë narkotike kanabis, në proces përpunimi dhe 8 thasë të mbushur me boçe kanabisi, me peshë totale rreth 870 kilogramë lëndë narkotike.
Janë sekuestruar 3 kallashnikovë, 3 pistoleta dhe një sasi e konsiderueshme parash, pasi çdo grua e shoqëruar ka pasur me vete nga 1 milion-1 milion e 300 mijë lekë (të vjetra) secila.
95 gratë e tjera do të procedohen në gjendje të lirë dhe ato janë transportuar me mjete publike drejt banesave të tyre në Fushë-Krujë, Lezhë, Shkodër e Tiranë.









